Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Figura të Shquara të Mjekësisë Veterinare Shqiptare » Intervistë me Dekanin e Fakultetit të Mjekësis Veterinare Prof.Dr Luigj Turmalaj

Intervistë me Dekanin e Fakultetit të Mjekësis Veterinare Prof.Dr Luigj Turmalaj

Krijimi i Universiteti Bujqësor i Tiranës ishte një nga hapat më të rëndësishme të zhvillimit dhe arsimimit në Shqipëri. U krijua më 1 nëntor 1951 si Institut i Lartë Bujqësor (ILB). Edhe sot e kësaj dite Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) është qendra më e madhe e edukimit dhe kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë dhe ushqimit në Shqipëri.

Fakulteti i Mjekësisë Veterinare ka filluar “jetën” e tij në  Shtator 1952, një vit më vonë se themelimi i Institutit të Lartë Bujqësor (sot UBT). Fakulteti startoji me 14 studentët e parë që ja vlen të kujtohen sa herë që flitet për rrugëtimin e Fakultetit. Këta studenta janë: Akile Rama, Burhan Sinani, Emanuel Heba, Fisnik Preza, Kosta Llazari, Kujtim Shehu, Marketin Troshani, Muhamet Bilali, Maliq Shpuza, Mustafa Vishka, Niko Manika, Pëllumb Carcani, Piro Nocka dhe Stavri Afezolli. Po ashtu me respekt kujtojmë edhe disa nga pedagogët themelues të Fakultetit si: Metush Luli, Aleko Xoxa, Bajazit Shehu, Robert Papajani, Enver Babameto, Ms’har Dervishi, Vasil Tagari, Stavri Gjollma, Nexhmedin Misiri, etj, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në jetësimin e Fakultetit. Kërkojmë ndjesë por e kemi të pamundur ti përmendim të gjithë, pasi ka edhe shumë emra të tjerë të shquar që kanë kontribuar në ato vite të cilët do të shkruhen me kujdes në historikun e Fakultetit. Në 65 vite jetë, Fakulteti është përshtatur me rrethanat e kohës.

Aktualisht Fakulteti ka një personel me mbi 60 veta (akademikë, specialistë, laburantë dhe administratë).

Çdo vite në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare pranohen 115 studentë të rinj të cilët nga viti në vit shfaqin interes më të lartë. Në vitin 2016 është inaguruar godina e re e Trajnimeve Profesionale financuar nga USAID dhe Qeveria Sllovene. Në kuadrin e festës së 65 vjetorit godina kryesore e fakultetit është nën rikonstruktim dhe shpresojmë që të jetë gati në datat 2 dhe 3 Nëntor.

Mjekësia Veterinare Shqiptare zhvilloi një intervistë me Dekanin aktual të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare Tiranë, Prof.Dr Luigj Turmalaj.

Dekani i FMV Lugj Turmalaj

Profesor Luigjin (ashtu si dhe e thërrasin të gjithë ish studentat dhe studentat e tij) e njohin të gjithë. Ai është mjaft aktiv si në aspektin pedagogjik por edhe në anën profesionale. Profesor Lugjit me kënaqësi i drejtohen për ndihmë jo vetëm studentat por dhe të diplomuarit sa herë që kanë nevojë, dhe profesori gjithmonë ju ka dhënë ndihmën apo këshillat e nevojshme.

MVSH– Përshëndetje Profesor Luigji! Si fillim dëshirojmë t’ju falenderojmë për kohën që po na kushtoni.

Profesor Lugji- Së pari dëshiroj që edhe une t’ju përshëndes dhe falenderoj për mundësinë e komunikimit me Ju dhe nëpërmjet jush me kolegë, ish studentë dhe studentë të profesionit tonë të dashtur “Mjek Veteriner”. Po ashtu dua tju komplimentoj për punen e palodhur që bëni nëpërmjet revistës Mjekësia Veterinare Shqiptare me informacionet e apdetuara që jepni për kolegët tanë si dhe fermerët në përgjithesi.

MVSH- Profesor Luigji para së gjithash do të dëshironim ta fillonim këtë intervistë më disa fjalë nga ju se çfarë përfaqëson FAKULTETI I MJEKESISE VETERINARE dhe roli i tij në Shërbimin Veterinar në terësi.

Profesor Lugji- Fakulteti i Mjekësisë Veterinare ashtu siç u citua edhe më lart është themeluar në 01.11.1952 pranë ILB me inisiativen e drejtuesve të kohës dhe angazhimin e pedagogëve dhe studentave të brezit të parë. Të japish një konsiderate të plotë për pyetjen tuaj duhet shumë e shumë kohë për të përshkruar vlerat dhe rolin e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, por do të përpiqem me disa rrjeshta të koncentruar. Fakulteti i Mjekësis Veterinare është unik në Shqipëri, madje për një periudhë të gjatë kohe ka luajtur rolin e fakultetit të të gjitha trojeve shqiptare. Gjatë 65 viteve jetë janë diplomuar mijëra “Mjek Veteriner” por edhe “Zooteknik”, që kanë shërbyer me devotshmëri dhe sakrifica të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër një plejadë e tërë pedagogësh dhe specialistësh kanë “derdhur” gjithë kontributin e tyre profesional dhe qytetar në drejtim të edukimit të brezave të tërë studentesh. Roli i FMV është i pazvendësueshëm në jetën ekonomike dhe sociale të shoqërisë tonë. Nëpërmjet këtij profesioni jeta e çdo njërit prej nesh mund të jetë më pak ose më shumë e sigurt. Ndër shekuj shumë gjëra kanë ndryshuar, por betimi i Mjekut Veteriner ka qenë i njëjtë:… të mbroj shëndetin e kafshëve, shëndetin publik dhe mjedisin (Hipokrati). Çdo gjë që konsumohet me origjinë shtazore (produkte dhe nënprodukte ) janë të dobishme ose jo nga mendja dhe verdikti përfundimtar për tu konsumuar nga publiku prej Mjekut Veterinar. Fakulteti ka një rol thelbësor edhe mbi shërbimin veterinar në tërësi. Një edukim i mirë teoriko-praktik gjatë viteve të studimit të studentëve është hapi i parë. Po ashtu gërshetimi i përvojave ndërmjet institucioneve që përfaqësojnë këtë profesion mbetet i rëndësishëm. Aktualisht mund të them se jemi në rrugë të mbarë si në drejtim të edukimit ashtu dhe të bashkëpunimit.

MVSH Brezi juaj ka pasur mjaft pedagogë të aftë dhe vërtet të përkushtuar, pedagogë që me plot gojë mund të themi se “dhanë gjithë jetën e tyre për FMV”. A mund të na përmendi disa prej tyre?

Profesor Luigji- Kjo është një pyetje ideale për mua dhe besoj për të gjithë ata që në vite të ndryshme kanë bërë të njëjtin udhëtim. Më lejo të zgjatem pak dhe pse jo të tregohem edhe nostalgjik. Unë i përkas brezit 1983-1988 dhe me këtë rast dua të kujtoj me shumë respekt të gjithë shokët dhe shoqet e atij brezi të mrekullueshëm. Këtu dua të ndaj me lexuesit edhe dhimbjen që kam për shokë dhe shoqe të cilët fatkeqësisht nuk jetojnë mes nesh. Po ashtu dua të shpreh respekt dhe mirnjohje më të thellë për pedagogët e asaj periudhe. Pedagogë të zotë profesionalisht, qytetarë në sjellje dhe familjarë në jetë. Do doja ti përmendja të gjithë pasi më duket sikur i shoh, i dëgjoj dhe përjetoj moshën dhe energjinë e tyre, por disa do ti cilësoj me emra duke shpresuar se do të më mirëkuptojnë të gjithë. Prof.V. Tagari Prof. R. Papajani, Prof. Z. Shala, Prof. V. Bleta, Prof.H. Aliko, Prof. M. Zeko, Prof. P. Berberi, Prof. A. Munguli (Çaçi), Prof. N. Biba, Prof. B. Mane,Prof. M. Manehasa, Prof. S. Haderi, Prof. V. Andoni, Prof V. Tole, Prof M. Çela,Prof. Xh. Sulo, Prof.L. Klimi, Prof F. Begaj. Prof. V. Dhanaj, Prof. S. Luku, Prof.S. Zanaj. Prof.P. Çabeli, Prof.D. Xhaxhiu, Prof. R.Keçi etj. Janë disa prej tyre që vërtet kanë dhënë kontribut të shquar. Me avancimin e moshës kupton më mirë rolin e atyre që të kanë “formatuar” profesionalisht ndaj respekti dhe mirenjohja veç se shtohet. Edhe njëherë ndjesë për mungesat, por të gjithë ishin dhe një pjesë e tyre vazhdojnë të jenë të mrekullueshëm. E kujtoj shumë shpesh këtë periudhë edhe pse kam gati 20 vjet si pedagog e them me ndërgjegje që ajo ishte koha me e bukur e jetës (më mirë student se president). Shpesh njerzit janë të prirur tu referohen vështirësive të kohës, por e them pa ndrojtje se ajo ishte koha jonë koha e rinisë tonë. U formatuam profesionalisht, shkëmbyem kultura të ndryshme mes njëri-tjetrit, u pajisëm me mundësin për të qënë ndryshe dhe pse jo ndokush hodhi hapat e krijimit të familjes.

MVSHPas disa vitesh shkëputje ju u rikthyet sërisht pranë Fakultetit te Veterinarisë në detyrën e pedagogut. Mbani mend se kush ishin përshtypjet e para që patët pas rikthimit tuaj?

Profesor Luigji- Pas përfundimit të studimeve (Shkurt 1988) unë fillova punë në Vermosh, Shkodër. Të them të drejtën në fillim u mërzita, pasi në ditën e parë të punës kishte në këtë zonë rreth 1 metër borë. Shpejt kuptova se mbase ishe gjëja më e mirë që më kishte ndodhur. Fitova eksperiencë, rezistencë dhë pasurova jëten shpirtërore edhe më shumë. Në vitin 1992 jam ftuar për të qënë pjesë e fakultetit, por nuk fillova për arsye të mia. Gjej rastin ta falenderoj Prof. M. Çela dhe mikun tim J. Rama për konsideratën. Po ashtu jam ftuar për një ardhje te dyte ne vitin 98 dhe përsëri vendimi ishte jo. Këtu gjej rastin të falenderoj Prof. P. Gjino për dëshirën e mirë që të jem dhe unë pjesë e stafit. Dhe më së fundi erdhi e treta e vërteta ku në Prill të vitit 2000 vizitova fakultetin për nostalgji, por “mbeta brenda” tij si pa e kuptuar. Kam filluar punë më 15 Shtator 2000 në lëndën e Riprodhimit të Kafshëve. Edhe për këtë radhë kam falenderimet e mia për Prof. Nefailin (Dekan i asaj periudhe), Prof. Petritin, Prof. Xhelon, Prof. Çaçin dhe mbi të gjithë për Prof. Paskalin. Filimi ka qënë i vështirë, por dhe me shumë emocione. Në ditët e para dilja shpesh nga godinat, bibloteka, etj, me idenë se jam akoma student dhe do takoja bashkëmoshatarët e mij. Sidoqoftë gradualisht fillova të axhustohem në gjirin e kolegëve dhe të ndjeja çdo ditë se sa e vështirë dhe sa shumë punë duhet për punën që kisha marrë përsipër. Dua të përmend se të punosh me studentët është mrekullia vetë pasi ata të japin energji pozitive pa fund.

MVSH- Po aktualisht si ju duk gjëndja e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare e krahasur me vendet ku ju keni kryer specializimet tuaja?

Profesor Luigji- Kam vizituar një sërë shtetesh dhe bashkë me to edhe fakultetet e tyre. Padyshim që krahasimi është i vështirë, por shikimi është drejt tyre. Fakulteti jonë edhe pse është tashmë 65 vjeç, është ende i ri po të krahasohet me vendet e tjera. Kjo nuk do të thotë që të justifikohemi. Ka shumë vend për punë dhe angazhim më të plotë nga të gjithë ne. Momentalisht si drejtues i Fakultetit jam i fokusuar në ndryshimin e imazhit si nga ana njerzore ashtu dhe e infrastrukturës. Ritmet e kohës dhe orjentimi drejt Bashkimit Europian kërkon ide dhe vizon të qartë në tërë dimensionin e zhvillimit të Fakultetit si: kapacitetet mësimëdhënëse, infrastruktura, programet, studentet, etj. Të gjithë bashkë dhe pa komplekse personale apo të tjera ne mendojmë se mund tja dalim dhe të shkurtojmë kohën e avancimit drejt niveleve të fakulteteve si motra të paktën të rajonit tonë.

MVSH- Profesor Luigji, Ne me kënaqësi ju kemi ndjekur në arritjet tuaja si nga ana profesionale por me tepër në aspektin e drejtuesit si Dekan i Fakultetit te Veterinarisë. Jemi të sigurt se vështirësitë kanë qënë jo të pakta. Takime të shumta që ju keni organizuar pranë FMV tregojnë rrugën e drejtë që po ndjek ky Fakultet nën drejtimin tuaj si Dekan.

Një prej këtyre takimeve që nuk mund ta lëmë pa përmendur për vetë rëndësinë që ka është dhe organizimi i 65-vjetorit të krijimit të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare. A mund të na tregoni dicka më shumë rreth këtij takimi? Si e pret Fakulteti këtë 65 vjetor, në dallim nga përvjetorët e tjerë që keni kaluar?

Profesor Luigji- Gjatë punës time si dekan kam zhvilluar një sërë takimesh me drejtues të institucioneve të ndryshme. Së pari objekt i takimeve kane qene institucionet tona si Sherbimi veterinar i Republikes, ISUV, Urdhëri i Mjekut, Agjensia e Mbrojtjes së Konsumatorit (Bashkia Tiranë), Shoqata e fermerëve, etj. Po ashtu në rrafshin ndërkombëtar kam inicuar takime me drejtues të institucioneve dhe përfaqësues të tyre nga disa vende të ballkanit dhe Europës. Thelbi i këtyre takimeve ka qenë thellimi i bashkëpunimeve ekzistuese dhe inicimi i bashkëpunimeve të reja. Një tërësi takimesh parashikohen të bëhen në kuadrin e festimit të 65 vjetorit të FMV. Kështu pa dashur të nxjerrim sekretet e protokollit, janë ftuar shumë Dekanë dhe personalitete të fushës akademike nga vende të ndryshme dhe një pjesë që tani kanë konfirmuar pjesmarrjen. Me këtë rast do të nënshkruhen disa marrveshje bashkëpunimi me Fakultetet e Veterinarisë të këtyre vendeve. Gjej rastin që nëpërmjet portalit tuaj të ftoj të gjithë Mjekët Veteriner që kanë përfunduar këtë fakultet të vijnë dhe të kujtojnë kohën e studimeve. Të ndajmë mes nesh një urim dhe të gëzojmë të gjithë bashkë. Fakulteti i ka marrë të gjitha masat që të bëj pritje denjitoze për të gjithë ju kolegë të dashtun. Një ftesë e bëj për 14 studentët e parë të cilët kanë emrin e tyre në këtë intervistë nëse jetojnë ose dhe familjarë të tyre që të vijnë me patjetër më datën 3 Nëntor pasi për ta do të ketë vlerësim të veçantë.

MVSH- Çmund të na thoni rreth lidhjes Fakultet-Baze si dhe me insituticione të tjera simotra në vendet fqinje dhe më gjerë?

Profesor Luigji- Ne kemi një sërë mardhënjesh bilaterale dhe multilaterale me Fakultetet e vendeve të tjera. Mund të përmend këtu bashkëpunimin që kemi me fakultete në; Itali, Greqi, Gjermani, Austri, Maqedoni, Kosovë, Kroaci, Slloveni, Poloni, etj. Bashkëpunimi konsiston në shkëmbimin e informacionit, të stafit dhe studentëve. Mund tju them se aktualisht kemi 2 student me Erasmus në Torino dhe 4 student në Milano me kohëzgjatje 6 mujore studimesh për sejcilin. Në vazhdimësi kjo marrdhënje do të konsilidohet dhe thellohet më shumë.

MVSH-Bashkëpunime të tjera që mund të përmendim janë dhe ato me shoqata apo organizata të ndryshme që kanë lidhje të drejtpërdrejte me Mjekësinë Veterinare. Siç mund të përmendim bashkëpunimin e FMV me Urdhëri i Mjekut Veterinar. Kush janë përfitimet e studentave rreth këtyre bashkëpunimeve?

Profesor Luigji- Një risi e viteve të fundit për profesionin e mjekut veteriner është dhe krijimi i “Urdherit Profesional të Mjekut Veterinar”. E konsideroj një institucion tashmë ligjor mjaft të rëndësishëm për detyrat që ka. Marrdhënjet ndërmjet Fakultetit dhe Urdhërit të Mjekut Veterinar plotësohen në drejtim pozitiv nga njëra ditë në tjetrën. Kemi zhvilluar një sërë seminaresh dhe trajnimesh me kolegët tanë nëpër të gjitha qarqet e Shqipërisë. Temat përzgjidhen nga veterinerët dhe me pas mes dy institucioneve planifikojmë lektorët dhe elementet e tjerë teknik.

MVSH – Çmendim keni për të ardhmen e këtij Institucioni unik dhe mjaft të rëndësishëm në vendin tonë? Si e shihni ju të ardhmen e FMV?

Profesor Luigji- Fakulteti i Veterinarisë si institucion dhe profesion, është i pazvendësueshëm. Padyshim nuk jemi aty ku duam, por punojmë që të arrijmë më të mirën. E ardhmja e Fakultetit do të jetë e sigurt duke u përmirësuar së pari në drejtimin njerëzor dhe së dyti infrastrukturore. Nuk e fsheh shqetësimin por, ka ardhur koha për një rishikim rrënjësor të personelit dhe pozicionim më i mire i tij në raport me punën që bën. Termi “Pedagog” dhe aq më shumë “Profesor” është peshë shumë e rëndë dhe kërkon “gjunjë të fortë”. Ta bësh këtë detyrë duhen një sërë kriteresh tek punëmarrësi. Gjykoj se krahas vetingut në drejtësi duhet bërë edhe në universitete madje këtu është edhe me i rëndësishëm. U ndala pak me shume dhe mbase disi ashpër në këtë pikë por, ajo që ka nevojë të korigjohet në mënyrë urgjente është raporti i stafit me studentët. Me keqardhje verej se kjo mardhenje ka shumë mangësi. Po ashtu dhe ndryshimi i mentalitetit të studentit për të marrë një diplomë pa meritë mbetet ende një problem. Përmirësimi i të dy hallkave të mësipërme do ta forcojnë pozitën e Fakultetit si në aspektin e kredibilitetit ashtu dhe të profesionalizmit

MVSH- Sigurisht ashtu si në ç’do insituticion edhe FMV has vështirësi të shumta në rrugëtimin që po kryen. Kush janë disa nga vështirësitë dhe cila mund të jetë ndihma që secili prej nesh mund të japë?

Profesor Luigji- Për vite me rradhë është punuar që Fakulteti të ecë me ritmet e duhura. Sigurisht brenda një konteksti të zhvillimit shoqëror Universitetet duhet të jenë të paktën një hap para. Për fat të keq kjo ende nuk po ndodh. Ka një sërë vështirësish në këtë drejtim. Diçka përmenda dhe më lart si kualiteti i rekrutimeve, cilësia e studentëve dhe infrastruktura mbeten tre arsyet që e vështirësojnë ecjen si dhe rimtin që duhet. Aktualisht ka një vëmendje më të madhe ndaj Universitetit Bujqësor si nga drejtuesit ashtu dhe nga qeveria. Disa ndryshime kanë filluar në kampusin universitar dhe shpresojmë në avancimin e tyre. Në këtë kuadër për FMV është parashikuar ndërtimi i një Spitali për Kafshët me standarte bashkëkohore. Nga ana tjetër një ndihmëse e vyer për fakultetin do të ishte bashkëpunimi më i ngushtë me bizneset dhe fermerët që kanë investimet e tyre në fushën e blegtorise. Bashkëpunimi me projektet kombëtare dhe ndërkombëtare shpesh janë konsideruar si projekte personale ose të grupit por, të fituara në emër të institucionit. Këto dhe te tjera janë disa nga pikat ku jemi të fokusuar për ti përmirësuar. Pamvarësisht sa përmenda, jam optimist për të ardhmen e fakultetit dhe këtë gjë e shikoj mbi të gjitha tek rinia studentore . Dhe me qenë se inervistën po e bej pikërisht para fillimit të vitit të ri akademik 2017-18 më lejoni që nëpërmjet Revistës tuaj tju uroj me gjithë zemër suksese të gjithë studentëve që kanë përzgjedhur fushën e Veterinarisë për studime.

MVSH-Si përfundim dëshirojmë që të shprehim dhe njëherë konsideratën dhe mbeshtetjen e të gjithë kolegëve Mjek Veterinerë kudo gjenden!

Ju urojmë punë të mbarë dhe suksese të mëtejshme në detyrën tuaj!

Profesor Luigji- Nisur nga pyetja juaj intervistës tonë të parë po i vjen fundi. E konsideroj detyrë të sejcilit prej nesh që bashkepunimin ta kemi primare. Kemi shumë gjëra që na bashkojnë dhe asgjë që na ndan. Të gjithë kemi një qëllim profesional dhe besoj edhe shoqëror që tu shërbejmë sa më mirë qytetarve tanë. Ndaj në këtë kuadër shpreh gjithë angazhimin tim personal dhe institucional për bashkëpunim të të gjithë potencialeve që kontribojnë në këtë fushë. Fakulteti është dhe do të jetë derë e hapur për kolegët tanë kudo ku janë. Dhe në fund kam një falenderim të veçantë edhe për Ju kolegë të nderuar që gjetët kohën për të ndarë së bashku disa opinione për Fakultetin e Veterinarisë dhe profesionin e Mjekut Veterinar.

Punë të mbarë dhe faleminderit!

Përgatiti intervistën për Revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare MV Egli Ozuni

Ju lutemi në rast ribotimi apo referimi duhet të përmendet autori, burimi i informacionit si dhe linku përkatës.