Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Dermatologji » Dermatoza nodulare-Hyrje

Dermatoza nodulare-Hyrje

Mjekësia Veterinare Shqiptare ishtë ndër të parët që me anën e fotove dhe raportimeve të kolegëve sollën vëmendjen e duhur për përhapjen e dermatozës nodulare në rajonin tonë.
Askush nuk mund ta mohojë që kur strukturat vendore si në Shqipëri apo dhe në Kosovë, vazhdonin të mos pranonin prezencën e kësaj sëmundje (fatkeqësisht rastet janë disa), aq më keq kolegët që sillnin raste klinike (me foto dhe shënja klinike) kërcenoheshin që të mos i botonin këto raste.
Mediokrizëm dhe paaftësi ishte emri i këtyre veprimeve…

Gjithsesi e vërteta triumfoi duke bërë të mundur më në fund praninimin e faktit se Dermatoza Nodulare ishte prezente në Kosovë dhe në Shqipëri e Maqedoni.
Fatmirësisht filloi menjëherë marrja e masave parandaluese.
Më mirë vonë se kurrë.

Artikullin e botuar nga FAO (Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës) Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare do i sjellë për të gjithë të interesuarit në një set artikujsh në vazhdimësi…

Dermatoza nodulare kontagioze është një sëmundje e transmetueshme përmes vektorëve, e cila prek gjedhin e domestikuar dhe buallin aziatik të ujit, që karakterizohet nga shfaqja e nodulave në lëkurë. Sëmundja tradicionalisht ka qenë endemike në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, por që nga viti 2015 sëmundja u përhap në Ballkan, Kaukaz dhe Federatën Jugore Ruse. Shpërthimet e DNK shkaktojnë humbje të konsiderueshme ekonomike në vendet e prekura, por pavarësisht se të gjitha palët e interesuara në industrinë e gjedhit vuajnë humbjet e të ardhurave, fermerët e vegjël dhe të varfër goditen më rëndë. Sëmundja ndikon shumë në prodhimtarinë e gjedhit, prodhimin e qumështit dhe gjendjen trupore të kafshëve. Ajo gjithashtu shkakton dëme të lëkurëve, dështime dhe infertilitet. Kostot e eliminimit total (total stamping-out) ose eliminimit të pjesshëm (partial stamping-out) të kafshëve shtojnë humbjet direkte. Humbjet indirekte rrjedhin nga kufizimet e lëvizjeve dhe tregtinë e gjedhit. Përveç vektorëve, transmetimi mund të ndodhë nëpërmjet konsumit të ushqimit ose ujit të kontaminuar, kontaktit direkt, ndërzimit natyror si edhe inseminimit artificial. Vaksinimi masiv është mënyra më efektive për të kufizuar përhapjen e sëmundjes. Ekzistojnë vaksina efektive kundër DNK dhe sa më shpejt të përdoren ato, aq më i lehtë mund të jetë ndikimi ekonomik i një shpërthimi. Qëllimi i këtij manuali është të rrisë ndërgjegjësimin ndaj DNK dhe të ofrojë udhëzime mbi zbulimin e hershëm dhe diagnozën prej profesionistëve veterinerë privatë dhe zyrtarë (në terren dhe thertore), paraprofesionistëve veterinerë dhe diagnostikuesve laboratorikë. Manuali për terrenin përmban një përshkrim të përgjithshëm të DNK, duke përfshirë shenjat klinike, shpërndarjen gjeografike, epidemiologjinë, tërësinë e bujtësve dhe rrugët e transmetimit. Në manual përshkruhen kronologjikisht zbulimi i kafshëve që shfaqin shenja tipike klinike të DNK – kjo e fundit e emërtuar “rast(e) i/të dyshimtë/a” – në konsiderimin e diagnozës diferenciale, gjetjeve postmortem dhe vlerësimin laboratorik të diagnozës në terren. Më tej përshkruhen mjetet kryesore diagnostike të disponueshme për zbulimin e virusit dhe antitrupave, si dhe rekomandimet për marrjen e mostrave dhe transportin e tyre nga terreni në laboratorët e referencës kombëtar ose ndërkombëtar. Përshkruhen veprimet e menjëhershme të kontrollit dhe çrrënjosjes pas një rasti të dyshuar/zbuluar të DNK në një fermë. Përveç kësaj, manuali mbulon aspekte të ndryshme që lidhen me ndërgjegjësimin dhe survejancën e zbatueshme e mundshme pas shpërthimit të sëmundjes. Ky manual është një nga seritë e përgatitur nga Sistemi i Parandalimit të Emergjencave të FAO-s për Sëmundjet Ndërkufitare të Kafshëve dhe Dëmtuesit e Bimëve (EMPRES) dhe shërben si një material ndihmues për përgatitjen ndaj sëmundjeve kryesore ndërkufitare të kafshëve të fermës (TADs). Dermatoza nodulare kontagioze e gjedhit klasifikohet si sëmundje ndërkufitare e kafshëve (TAD) për shkak të ndikimit të saj të rëndësishëm ekonomik mbi prodhimin dhe mirëqënien lokale, si dhe kufizimeve të tregtisë ndërkombëtare në vendet e prekura. Përveç kësaj, DNK mund të përhapet me shpejtësi në hapësirat ndërkufitare dhe të arrijë përmasa epidemike, duke e bërë të domosdoshëm dhe të pashmangshëm bashkëpunimin rajonal për parandalimin, kontrollin dhe çrrënjosjen (OIE, 2016).

EPIDEMIOLOGJIA

Në mënyrë tipike, shpërthimet e epidemive të DNK ndodhin në intervale disa vjetore. Nuk njihet ekzistenca e një rezervuari specifik për virusin, si dhe nuk është plotësisht e qartë se ku mbijeton virusi midis epidemive. Shpërthimet zakonisht janë sezonale, por mund të ndodhin në çdo kohë sepse në shumë rajone të prekura asnjë sezon nuk është tërësisht i lirë nga vektorët. Prania e një numri gjithnjë në rritje të kafshëve naive (d.m.th. jo imune), numri i madh i vektorëve aktivë që ushqehen me gjak, si dhe lëvizjet e pakontrolluara të kafshëve mundësojnë shpërthime masive të DNK. Rasti primar lidhet zakonisht me futjen e kafshëve të reja në tufë, ose në fermat afër saj. Morbiditeti varion në limitet 2 deri 45 %, ndërsa shkalla e mortalitetit është zakonisht më pak se 10 %. Prekshmëria e bujtësit varet nga gjendja imune, mosha dhe raca. Në përgjithësi, racat Evropiane të gjedhit me prodhimtari të lartë qumështi janë shumë më të ndjeshme krahasuar me kafshët indigjene afrikane e aziatike. Lopët me prodhimtari të lartë qumështi zakonisht preken më rëndë.

AGJENTI SHKAKTAR

DNK shkaktohet nga virusi i dermatozës nodulare kontagioze të gjedhit (VDNK), pjesëtar i gjinisë Capripoxvirus (CaPV) i familjes Poxviridae. Virusi i sëmundjes së dermatozës nodulare kontagioze të gjedhit bën pjesë në të njëjtën gjini me virusin e lijës së dhenve (SPPV) dhe virusin e lijës së dhive (GTPV), të cilët ngjasojnë shumë, por kanë dallime filogjenetike. Ekziston vetëm një serotip i VDNK dhe VDNK, virusi i lijës së dhenve (SPP) dhe virus i lijës së dhive (GTP) ndër-veprojnë serologjikisht. Ky është një virus i madh me ADN dyvargore, shumë i qëndrueshëm dhe që ka shumë pak ndryshueshmëri gjenetike. Prandaj, përhapja nga ferma në fermë e VDNK, nuk mund të gjurmohet me anën e sekuencimit të izolateve të virusit, siç veprohet për sëmundjet e tjera ndërkufitare, si p.sh. afta epizootike (FMD).

PËRHAPJA GJEOGRAFIKE

Sëmundja e dermatozës nodulare kontagioze të gjedhit është e përhapur dhe endemike në të gjithë Afrikën, me përjashtim të Algjerisë, Marokut, Tunizisë dhe Libisë. Që nga viti 2013, DNK ka përfshirë të gjithë Lindjen e Mesme (Izrael, territoret autonome Palestineze, Jordani, Liban, Kuvajt, Arabi Saudite, Irak, Iran, Oman, Jemen, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein). Në vitin 2013, DNK u përhap gjithashtu në Turqi, ku aktualisht është ende- 4 Sëmundja e dermatozës nodulare kontagioze FIGURA 1 Vendet që kanë raportuar DNK 1929-1978 1979-2012 2013-2014 2015-2017 LSD proven presence for over 10 years Shpërthimet në Federatën Ruse janë kufizuar në rajonet brenda dhe pranë Kaukazit verior. Kjo u pasua nga shpërthime në Azerbajxhan (2014), Armeni (2015) dhe Kazakistan (2015), Federatën Jugore Ruse (Dagestan, Çeçeni, Krasnodar Kray dhe Kalmykia) e Gjeorgji (2016). Që nga viti 2014, DNK ka avancuar në pjesën veriore të Qipros, në Greqi (2015), Bullgari, ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Serbi, Mali i Zi, Shqipëri dhe Kosovë (2016). Aktualisht ekziston një risk në rritje e DNK duke arritur në Azinë Qendrore, Evropën Perëndimore dhe Evropën Qendrore-Lindore.

TRANSMETIMI

Rasti i parë i DNK shpesh mund të gjurmohet përmes analizimit të lëvizjes legale apo jolegale e gjedhit midis fermave, rajoneve apo edhe vendeve. Në fakt, lëvizjet e gjedhit mundësojnë transmetimin e virusit në distanca të gjata. Transmetimi në distanca të shkurtra kryhet me anë të një numri të madh insektesh lokalë që shërbejnë si vektorë. Kjo distancë është e barazvlefshme me potencialin e fluturimit të insekteve (zakonisht < 50 km). Vektorët ushqehen me gjak në gjedhë dhe kanë si tipar të spikatur ndryshimin e shpeshtë të bujtësve midis vakteve ushqimore çka mundëson përhapjen e shpejtë të sëmundjes. Nuk ka dëshmi të shumëzimit të virusit në vektorë, por kjo nuk mund të përjashtohet. Vektori kryesor ka të ngjarë të ndryshojë midis rajoneve gjeografike dhe ekosistemeve. Mizat e zakonshme të stallës (Stomoxys calcitrans), mushkonja Aedes aegypti dhe disa specie rriqnash afrikane Rhipicephalus dhe Amblyomma spp., kanë demonstruar aftësinë për të përhapur VDNK. Transmetimi i virusit nga karkasat e kafshëve të infektuara tek ato të gjalla të paekspozuara përmes insekteve, është një risk i mundshëm, por nuk është studiuar mjaftueshëm. Transmetimi përmes kontaktit direkt konsiderohet si një rrugë jo shumë efektive, por mund të ndodhë. Kafshët e infektuara mund të jenë viremike vetëm për pak ditë, por në raste të rënda viremia mund të zgjasë deri në dy javë. Kafshët e infektuara që shfaqin lezione në lëkurë, membranat mukoze të gojës dhe kavitetin nazal sekretojnë virusin me pështymë, rrjedhjet nazale e okulare, të cilat mund të kontaminojnë vendet e përbashkëta të ushqimit dhe të ujit të pijshëm. Deri më sot, virusi i DNK është zbuluar në pështymë e rrjedhjet nazale deri në 18 ditë pas infektimit. Nevojiten më shumë hulumtime për të hetuar për sa kohë virusi infektiv sekretohet në sekrecionet e sipër përmendura.

Virusët mbrohen mirë brenda krusteve, veçanërisht kur ato bien nga lezionet e lëkurës. Megjithëse nuk disponohen të dhëna eksperimentale, është e mundëshme që mjediset natyrore ose ato të fermave të mbeten të kontaminuara për kohë të gjatë pa një pastrim dhe dezinfektim të plotë. Përvoja në terren tregon se kur kafshët e shëndosha të paekspozuara futen në fermat e infektuara nga DNK pas eliminimit total të kafshëve, ato infektohen brenda një ose dy javësh – duke treguar se virusi persiston në vektorë, në mjedis, ose në të dyja bashkë. Virusi persiston në spermën e demave të infektuar, kështu që inseminimi natyral ose artificial mund të jetë burim infeksioni për femrat. Njihet fakti që nga lopët barse të infektuara lindin viça me lezione në lëkurë. Virusi mund të transmetohet në viçat përmes qumështit të infektuar, ose nga lezione të lëkurës në thithat e gjirit. Transmetimi iatrogjenik brenda ose ndërmjet tufave mund të ndodhë përmes ageve të kontaminuara gjatë vaksinimit ose manipulimeve të tjera me instrumente të kontaminuara, nëse ato nuk ndryshohen midis kafshëve ose tufave. Përfundimisht, kafshët e prekura shërohen biologjikisht nga infeksioni dhe nuk njihen portatorë të VDNK.

Në vazhdimësi: Shënjat Klinike (foto dhe raste klinik)…

Burimi informacionit: FAO