Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Çfarë është “Poleni” ?

Nga Dr.Agim Nelaj

ÇFARË ËSHTË POLENI?

Bletët, ashtu si të gjitha gjallesat, kërkojnë një dietë të balancuar të sheqerit, proteinave, vitaminave dhe mineraleve. Uji përbën gjithashtu një domosdoshmëri jetësore. Dhe nektari, burimi i energjisë, për bletët është shumë i rëndësishëm për rritjen, sjelljen, fluturimin dhe termorregullimin.

Poleni është fara mashkull e lules, e nevojshme për fekondimin e bimës. Është pluhur shumë i imët, në trajtën e grimcave të vogla (korpuskujve).

Poleni është ushqimi i bletëve të reja dhe përmban përafërsisht 40% proteina. Ai është vlerësuar si një nga burimet më të arrira natyrore, që përmban pothuajse të gjitha lëndët e nevojshme për njerëzit. Rreth gjysma e proteinës se tij është në formën e aminoacideve të lirë, të gatshëm për t`u përthithur drejtpërdrejt nga trupi. Lëndë të tilla shumë të tretshme, ndihmojnë mjaft për plotësimin e nevojave të çdokujt për proteina.

Një nga faktet më interesante në lidhje me polenin është se ai, nuk mund të sintetizohet në laborator. Analizat kimike të polenit janë bërë me pajisje shumë të sofistikuara, por ka ende disa elemente të padallueshëm, të pranishëm në polen. Bletët i shtojnë vetes dhe ca pikla misterioze “ekstra”. Ato bëjnë detyrë të dyfishtë: janë të programuara për të mbledhur polen, por dhe ta sjellin atë përsëri në zgjoje si ushqim për familjen. Ndonëse dhe pllenimi është po aq i rëndësishëm, kur bletët arrijnë në lule të tjera, një pjesë e pluhurit të artë është shpërngulur gjatë lulëzimit dhe pllenimi është kryer.

Është e rëndësishme të dimë sesa e vështirë është mbledhja e polenit. Për grumbullimin e një lugë çaji polen, një bletë duhet të punojë për një muaj, tetë orë në ditë. Çdo topth poleni, përmban mbi dy milionë kokrra polen lulesh, kurse një lugë çaji përmban mbi 2.5 miliardë kokrra polen lulesh. Poleni prodhohet nga qeliza mashkullore dhe bleta përlyehet me të gjatë vizitës nëpër lule.

Bimët pjalmohen me forma të ndryshme: me insekte, zogj, erë etj. Bimët, që e kryejnë pjalmimin me anë të erës, janë më të pasura në pjalm. Më të pasur në pjalm janë luledielli, misri, gështenja etj. Pjalmi përmban: ujë 10%; sheqerna 33-35 %; yndyrna 5%; proteina 22-24%. Ka në përbërje te tij aminoacide (22), lëndë minerare, si dhe lëndë të tjera ende të paindentifikuara. Në vitaminat e grupit B, C, D, E, A, gjejmë disa enzima që ndikojnë në proceset metabolike si: amilaza, saharaza, fosfataza etj. Ka lëndë, ende të pavërtetuara përfundimisht, me vlerë në jetëgjatësinë dhe sjelljen e bletëve.

Ku prodhohet poleni?

Poleni prodhohet nga thekët, që janë organet riprodhuese mashkullore të luleve. Bletët luajnë një rol të rëndësishëm si pjalmuese, ato bashkojnë polenin me organin femëror të lules. Ndonjëherë poleni transferohet në një stigmë brenda të njëjtës lule ose në një lule tjetër të po atij lloji. Për rrjedhojë, qëndron një lidhje e ndërlikuar mes bimëve dhe polenizuesve të tyre, pasi të dy palët mbështeten tek njëri-tjetri për mbijetesë.

Prodhimi i polenit varet nga llojet e bimëve. Sasia dhe cilësia e prodhuar ndryshojnë në varësi të kushteve klimatiko-tokësore. Disa bimë mund të prodhojnë polen me bollëk, por të një cilësie të dobët, ndërsa të tjera mund të prodhojnë shumë më pak, por me një cilësi të lartë. Bimët e të njëjtit lloj kanë prirje të kenë në përbërje të polenit sasi të përafërta të proteinave të papërpunuara.

Bimë me vlera relativisht të larta proteine të papërpunuar janë: kanola (Brassica napus 23%), bajamja (Prunus dulcis 26%). Bimë me nivel të ulët proteine të papërpunuar janë: ferra e butë (Rubus spp. 19.%), shelgu (Salix spp. 17%), luledielli (Helianthus annuus 16%) dhe pisha (Pinus spp. 7%). Duhet theksuar se qarkullojnë disa metoda për të analizuar përmbajtjen e proteinave të polenit, prandaj në literaturë gjejmë rezultate të ndryshme. Publikimi i përqindjes së proteinave në polene të ndryshme, shërben vetëm si udhëzues i përgjithshëm dhe jo si vlerë përfundimtare.

Nga hulumtimet del se bleta punëtore në përzgjedhjen e polenit, bazohet në erën dhe paraqitjen fizike të kokrrizave dhe jo në vlerat ushqyese të tij. Një familje blete mbledh rreth 25-50 kg polen në vit, ku mesatarisht 15-30% e bletëve punëtore të familjes, mbledhin polen. Një bletë e vetme mund të sjellë një ngarkesë poleni që peshon rreth 35% të peshës së trupit të saj. Bletët e mbledhin polenin me këmbët e tyre të prapme, me anë të strukturave të specializuara të quajtura zakonisht “shporta” ose “polencorbicula”.

Poleni i sjellë në zgjua përpunohet nga bletët kujdestare. Ato prodhojnë një sekrecion nga gjëndrat faringeale, i cili përmban enzima dhe acide. Ky sekrecion parandalon aktivitetin e dëmshëm të baktereve dhe përgatit polenin për ruajtje afatgjatë. I ruajtur në këtë mënyrë, shpesh poleni quhet dhe “bukë blete”, “bifteku i bletës”, “mbiushqim” etj. Bletët shtojnë në polen edhe disa baktere të dobishme që prodhojnë enzima, të cilat ndihmojnë në rritjen e cilësive ushqyese të polenit dhe në lirimin e aminoacideve. Kërkesa vjetore për polen është vlerësuar se shkon në 30-55 kg.

Poleni përdoret për rritjen dhe zhvillimin e familjes, pasi ndikon tek pjelljet. Nuk ka pjellje pa polen. Nga çasti që bleta shfaqet, ajo nuk konsumon më polen. Sasia e polenit që kërkohet për zhvillimin e një larve të bletës punëtore është vlerësuar në 124-145 mg. Kjo sasi përmban rreth 30 mg proteinë. Niveli minimal i proteinave të papërpunuara, të nevojshme për bletët, është vlerësuar të jetë mesatarisht 20-25%. Një dietë poleni me nivel të lartë proteinik, rrit jetëgjatësinë e bletëve punëtore. Poleni i cilësisë së ulët, me pak proteina, zbret pjelljet dhe bletët e dala nga një ushqim i varfër kanë jetëgjatësi të shkurtër, humbin dhe janë të prekshme nga sëmundjet.

Poleni, është burimi kryesor i proteinave dhe gjithashtu përmbann yndyrna, lipide, minerale dhe vitamina. Proteina është jetike dhe vendimtare për pjelljet dhe zhvillimin e bletëve të reja. Poleni është burimi kryesor që ndryshon cilësinë e ushqimit të bletëve. Ai përbëhet nga: ujë (7-16%), proteina bruto (6-30%), sheqerna të reduktuar (19-41%), sheqerna të pareduktuar (0-9%), niseshte (0-11%), lipide (5%), hi (1-6%) dhe të panjohura (22-36%). Përbërsit e polenit janë të ndryshëm dhe sasia e tyre varet nga lloji i bimëve. Polenet ndryshojnë jo vetëm nga sasia, por edhe nga cilësia. Proteinat që ofron poleni janë thelbësore për jetën dhe zhvillimin e familjes së bletëve. Sasia e proteinave të papërpunuara në përbërje të tij ndryshon shumë nga njëri polen në tjetrin, duke zënë nga 6-30% të peshës totale të polenit të thatë.

Proteina ka në përbërje të saj disa aminoacide, nga të cilat dhjetë janë gjetur si thelbësore për jetën e bletëve, që janë: threoninë, valinë, methioninë, isoleucinë, leucinë, fenilalaninë, histidinë, lisinë, argininë dhe triptofan. Sasia dhe lloji i aminoacideve të pranishme në polen ndryshojnë nga ato të lules ku është mbledhur.

Bletët e rritura, polenin e mbledhur e sjellin në zgjua ku dhe depozitohet. Edhe shtojca e lëndës ushqimore proteinike dhënë nga bletari, gjithashtu depozitohet dhe nuk konsumohet. Disa polene janë të mangët në aminoacide të caktuara, aq të domosdoshme e të kërkuara nga bletët. Nga këto aminoacide, disa janë thelbësore për bletët, pasi ato nuk mund të sintetizohen nga vetë bleta. Poleni ose shtesa proteinike është e domosdoshme në dietën e bletëve të reja dhe atyre kujdestare. Ushqimi duhet të përmbajë proteina në sasi dhe në cilësi, shumëllojshmëri të aminoacideve për të kënaqur nevojat e tyre ushqyese. Larvat e reja dhe mbretëresha, të cilat ushqehen nga bletët kujdestare, i marrin proteinat nga ushqimi (pelte mbretërore). Proteinat cilësore që në përbërje kanë aminoacide të plota, janë të nevojshme për mirërritjen e bletëve të reja si dhe për zhvillimin e gjëndrave nënfaringale të ushqimit në bletët kujdestare. Nëse ato nuk marrin polen ose ndonjë lloj tjetër të përshtatshëm proteine, sekrecionet e gjëndrave të ushqimit të pjelljeve nuk janë të mjaftueshme për mbështetjen e rritjes normale, zhvillimin e larvave dhe të aftësive riprodhuese të mbretëreshës. Kur bletët kujdestare kanë përfunduar detyrimet si “bletë shtëpiake” (rreth ditës së dhjetë dhe katërmbëdhjetë të jetës së tyre), dhe si bletë punëtore tani, marrin detyra të tjera (fluturimi në kullotë për shembull) për mbledhjen e ushqimit, kërkesa e tyre për proteina bie ndjeshëm dhe përbërësi kryesor i dietës janë karbohidratet e marra nga nektari dhe mjalti.

Vazhdim:

POLENI DHE EFEKTET E TIJ KURUESE

Artikulli u përgatit për Revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare nga Dr.Agim Nelaj.
Nuk lejohet përdorimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit!
Ju lutemi në rast referimi duhet të përmendet autori, burimi i informacionit dhe linku përkatës që i përket Revistës Mjekësia Veterinare Shqiptare!