Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për fermerët, pronarët dhe dashamirësit e kafshëve » Kafshët e fermave- Blegtoria » Shtegëtimi i bagëtive, ky ritual aq i bukur dhe i rrallë. Nomadët shqiptarë

Shtegëtimi i bagëtive, ky ritual aq i bukur dhe i rrallë. Nomadët shqiptarë

Rituali i harruar i një jete nomade, në kërkim të kullotave të pasura për bagëtitë, është ndoshta mes traditave më të rralla në Ballkan që ende vijon të mbahet në jug të vendit.

Shtegëtimet e bagëtive nga brigjet e Adriatikut dhe Jonit për në brendësi të vendit janë itinerare qindravjeçare që bënin popullsitë baritore të Ballkanit perëndimor për t’ju larguar vendeve të thata përgjatë bregdetit dhe dimrit të ashpër nga kullotat malore. Është mënyrë jetese e praktikuar prej shumë popullsive në Mesdhe, prej piemontezëve që ndiqnin rrugët nga pllaja padane apo brendësia e Marsejës për në Alpe, prej baskëve dhe asturianëve që transferonin bagëtitë prej Pirenejve për në Zhirondë të Francës apo drejt jugut të Spanjës, berberëve të Marokut që ngjiteshin verës nëpër malet Atlas, barinjve të Abrucit që i çonin nga Apeninet për në pllajat e Pulias.

Çdo maj e qershor, më shumë se 120 barinj kalojnë Dhëmbelin në këmbë me 15,000 krerë dhen për 220 kilometra nga ekstremi jugor i Shqipërisë për Gramozit, dhe kur afrohet bora e parë në fund të nëntorit dhe shirat kanë zënë bregdetin, marrin rrugën e kthimit në klima më të buta.

Pejzazhet e Evropës me vlerë për turizmin janë produkt i transhumancës, thuhet në një studim të Komisionit Evropian të vitit 2005.

Dhe njëqind vitet e fundit, mali nuk është më vetëm i blegtorit, shpjegon Guillaume Lebaudy-së, një etnolog që drejton Shtëpinë e Blegtorit në fshatin Champoléon në Alpet e Francës. “Tani blegtori e ndan me skiatorin, me alpinistin, me ngjitësin e maleve dhe së fundmi me aventurierin e makinave all-terrain.”

Po ashtu dhe në vendin tonë turistë të shumtë sheh shtigjeve nga kalojnë blegtorët. Ja si shprehet Pëllumbi një blegtor që ka vite që ben jetën e nomadit: “ bashkë me vitet, shumë gjëra kanë ndryshuar, por shtegëtimi bart shumë traditë brenda. Ai pranon se tani, mali nuk i takon si dikur vetëm barinjve, por edhe vizitorëve nga e gjithë bota, që janë kuriozë të njohin ritet pastorale Shqiptare”.

Shtegëtimi, i gërshetuar me melodinë e orkestrës së zileve e këmborëve, fyejt, karvanin e mushkave që transportojnë pajisjet e stanit dhe qentë, është me interes edhe për udhëtarët e vizitorët shqiptarë.

Shtegëtimi nga zonat e bregdetit drejt maleve të Lunxhërisë, Dhëmbelit e Gramozit, është një ritual që zgjat më shumë se një javë, e ndoshta mes dëshmive të fundit të traditës së mbarështimit të bagëtive, së fundi edhe me interes turistik.

Copëzimi i Ballkanit në shumë shtete, çakordoi rrugët e barinjve

Fenomeni është rralluar ose mekanizuar për shkak të urbanizimit masiv që prej gjysmës së dytë të shekullit XX.

Në Ballkan, rrugët e vjetra u çakorduan fillimisht nga copëzimi i gadishullit në shtete kombe. Barinj që udhëtonin nga veriu i Maqedonisë për në Thesali të Greqisë, u duhej të përshtateshin me ngastra të gardhuara etnike. Tani, jeta e organizuar rreth pjelljeve në ngastrat e dimërimit (hivernage) prej janarit, qethjeve në shkurt, dhe përdorimit të kullotave në ultësira në pranverë janë bërë kujtime të largëta. Apo festa e nisjes dhe marrja e rrugës për në mal pas ditës së Shën Gjergjit në të hyrë të majit. Përgatitja e dhenve për kthim mbas ditës së Shën Dhimitrit në fund të tetorit.

Por një grup nënetnik shqiptar, çamërit myslimanë si Fadili dhe Çimi, janë të vetmit që bëjnë shtegtimet në këmbë prej krahinës së tyre në qytezën e Konispolit në kufi me Greqinë. Me rënien e komunizmit, ata u zunë vendin vllehëve, një etnie që flet një gjuhë të familjes latine, e cila është marrë prej shekujsh me pastoralizëm por e braktisi për të emigruar në Greqi viteve 90. Dhe barinjtë shqiptarë e bëjnë rrugën në këmbë për të mbajtur të ulura kostot e biznesit.

Në Evropën e pasur ka një rikthim në mënyrat e vjetra, në shtegëtimet në këmbë, si një aktivitet i romantizuar dhe ekzotik. Madridi organizon ditën e transhumancës çdo të djelë të fundit të tetorit që prej 1994-ës, ku lejon dhjetra mijëra dhen të kalojnë në qytet për të vënë në dukje shtegëtimet që prej malësive të Riohas (Rioja) për në Andaluzi dhe Estremadura. Në Itali të jugut, dhomat e tregëtisë propozojnë itinerare ecjesh (randonées) nëpër tratturi, rrugët e shtegëtimeve të dikurshme.

Shpresojmë se së shpejti këto tradita do te gjejnë mbështetjen e duhur që të mos humbasin asnjëherë.

Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare