
Janë të njohura shumë raca të pulave të cilat dallohen mes tyre, por që prejardhjen e kanë të përbashkët nga pula e egër Gallus bankiva e cila edhe sot jeton në Azinë juglindore. Pula e egër karakterizohet me aftësi më të madhe të fluturimit dhe prodhimtarinë e vezëve kryesisht e ka në muajt Mars-Prill. Pula e egër mesatarisht jep 10-15 vezë në vit, masa trupore mesatare e pulave është 500-700 g, kurse masa trupore e gjelave të egër 800-1200 g. Saktësisht nuk dihet se kur është bërë shtëpizimi i saj, por në bazë të dhënave arkeologjike supozohet që kjo është bërë diku rreth 3600 vjet para erës sonë në Kinë dhe Indinë veriore. Nga të gjitha llojet e shpendëve, njeriu më së shumti rëndësi i ka dhënë kultivimit të pulave, prandaj ato edhe janë të përhapura në tërë botën.

RACAT E PULAVE PËR VEZË Këto raca karakterizohen me trup të vogël e të lehtë dhe me prodhimtari të lartë të vezëve që zakonisht brenda vitit japin rreth 200-300 vezë. Po ashtu janë raca të hershme që prodhimtarinë e vezëve e fillojnë në moshën 4-6 muaj dhe vazhdojnë të japin vezë gjatë tërë vitit pa ndërprerje. Prodhimin e vezëve nuk e ndërpresin edhe gjatë fazës së ndërrimit të puplave. Pulat për vezë janë mjaft të lëvizshme dhe të pa lodhura në kërkimin e ushqimit të cilin mjaft mirë e shfrytëzojnë për dhënien e vezëve. Mishin nuk e kanë të cilësisë së lartë, pos kategoritë e reja në fazën e rritjes.
(Për të mësuar më shumë rreth racave për pulat për mish, klikoni këtu: Racat e pulave për mish)https://veterineret.com/per-veterineret/shpendet/racat-e-pulave-per-mish/
RACA LEGHORN

Leghorni është përfaqësues tipik i racave për prodhimtarinë e vezëve dhe është e përhapur në të gjitha kontinentet.
Prejardhjen e ka nga pulat Italiane dhe Spanjolle të cilat kultivuesit amerikan i kanë kryqëzuar në mes veti dhe është fituar tipi me prodhimtari të lartë të vezëve.
Gjatë këtij kryqëzimi, varësisht nga ngjyra e puplave të prindërve, janë fituar disa tipe të Leghornit, si:
• Tipi i bardhë,
• Tipi i zi,
• Tipi i verdhë,
• Tipi i kuq, etj.
Gjatë seleksionimit rëndësi më e madhe i është kushtuar tipit të bardhë, i cili është treguar me potencial më të lartë prodhues dhe me aftësi më të madhe që këtë potencial dhe ngjyrën e bardhë të puplave t’i përcjellë në pasardhës.
Në bazë të këtij tipi në Evropë janë krijuar disa tipe të reja:
Tipi Anglez ai Italian, Gjerman, etj.
Sa u përket aftësive prodhuese, asnjëri nga tipet e përmendura nuk mund ta arrijë Leghornin amerikan.
Vetitë prodhuese – Leghorn hyn në grupin e racave të lehta që kapin masë trupore 1,5-2,0 kg, kurse gjelat 2,0-2,5 kg.
Mesatarisht jep 240-280 vezë brenda vitit me masë mesatare prej 57-60 g dhe me ngjyrë të bardhë.
Është racë e hershme që zogëzat fillojnë të prodhojnë vezë në moshën 5-6 muaj.
Kjo racë e ka humbë aftësinë e klloçitjes për shkak të prodhimtarisë së lartë të vezëve si dhe prodhimtarisë së pandërprerë gjatë tërë vitit.
Në literaturë përmenden edhe individët e kësaj race që kanë dhënë edhe deri 360 vezë brenda vitit. Leghorni shfrytëzon ushqimin e koncentruar dhe kullosën si dhe mjaft mirë u përshtatet kushteve të mbajtjes intensive.
Sa i përket eksterierit, dallohet me kokë të vogël dhe lafshë të thjeshtë fletëzore me ngjyrë të kuqe, qafën e ka me gjatësi mesatare dhe mjaft të fortë, trupi është mirë i zhvilluar e sidomos në pjesën e gjoksit që mjaft mirë u përshtatet kushteve të kultivimit.
RACA ITALIANE

Kjo racë prejardhjen e ka nga Italia që mjaft është shfrytëzuar nga seleksionuesit amerikan të cilët përmes kryqëzimit të kësaj race me raca tjera i kanë fituar racat e vendit që mjaft lehtë janë aklimatizuar në vendet gjegjëse.
Ekzistojnë disa tipe të kësaj race, por më të përhapur janë:
• Tipi i zi,
• Tipi i bardhë,
• Tipi i argjendtë,
• Tipi fëllanzak i cili është më i përhapuri.
Vetitë prodhuese – pulat e kësaj race peshojnë 1,5-2,5 kg, kurse gjelat 2,5-3,0 kg.
Po ashtu është racë e hershme që zogëzat hyjnë në prodhim në moshën 5-6 muaj.
Raca italiane brenda vitit prodhon 140-180 vezë, por ekzistojnë edhe individ që brenda vitit prodhojnë mbi 200 vezë.
Vezët janë me ngjyrë të bardhë dhe me masë mesatare rreth 60 g.
Karakteristik e kësaj race, e sidomos e tipit fëllanzak, është se zogjtë mund të dallohen sipas gjinisë qysh në ditën e parë, pasi që femrat gjatë tërë gjatësisë së qafës kanë ngjyrë më të mbyllët të puplave në krahasim me meshkujt.
Kjo racë mjaft mirë e shfrytëzon kullosën dhe ushqimin e koncentruar si dhe lehtë u përshtatet kushteve të reja të kultivimit. Karakterizohet me trup të fortë dhe ndërtim tipik për prodhimtarinë e vezëve.
RACA MINORKA

Minorka prejardhjen e ka nga Spanja, ndërsa seleksionimi i kësaj race është kryer në Angli.
Në përhapjen (seleksionimin) e kësaj race kanë ndikuar edhe seleksionues nga Franca dhe Gjermania.
Ekzistojnë disa tipe të kësaj race, por më i përhapuri është ai me ngjyrë të zezë i cili dallohet me lafshë të madhe.
Vetitë prodhuese – dallohet me masë trupore diçka më të rëndë se raca Leghorni që pulat peshojnë deri 2,5 kg, kurse gjelat rreth 3 kg.
Minorka brenda vitit ka aftësi të prodhoj 160-200 vezë me masë deri 80 g.
Pasi që pulat e kësaj race karakterizohen me masë trupore më të rëndë, ato kryesisht nuk janë të përhapura në vende të ftohta dhe me klimë të ndryshueshme, për çka edhe janë më pak të përhapura në krahasim me Leghornin dhe racën italiane.
Kjo kultivohet si racë e pastër, por mjaft shfrytëzohet edhe për kryqëzim me qëllim të fitimit të racave të reja. Rrallë bie klloç dhe zogëzat fillojnë të japin vezë në moshën 5-6 muaj.
Ka trup mesatarisht të zhvilluar dhe mirë u përshtatet kushteve të mbajtjes intensive.
Përgatiti Mjekësia Veterinare Shqiptare

Burimi informacionit: Blegtori e Veçantë 2013