Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Të ushqyerit e kafshëve » Përbërja kimike e organizimit të kafshëve dhe bimëve

Përbërja kimike e organizimit të kafshëve dhe bimëve

Shkenca “Të ushqyerit e kafshëve shtëpiake” merret me hulumtimin e raportit në mes të ushqimit si burim i lëndëve ushqyese të kafshëve, gjendjes së tyre fiziologjike dhe të ushqyerit e kafshëve shtëpiake si shfrytëzues të ushqimit.

Të ushqyerit e kafshëve përbën në vete procese mjaft të ndërlikuara biokimike dhe fiziologjike dhe gjatë këtyre proceseve  bëhet transformimi i lëndëve ushqyese në përbërës të organizmit të kafshëve. Për këtë shkak rëndësi të veçanta ka njohja e përbërjes kimike të organizmi të kafshëve në raport me përbërjen kimike të bimëve. Njohja e mirë e përbërjes kimike të organizmit bimor dhe shtazorë na ndihmon të kuptojmë procesin e transformimit të ushqimit në të ushqyerit të kafshëve.

Organizmi bimor është burimi kryesor i lëndëve ushqyese për kafshët shtëpiake. Në këtë mënyrë me anë të ushqimit bimor sigurohen të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për ndërtimin e organizmit të kafshëve. Këtu mendojmë në lëndët inorganike, në lëndët aktive biologjike etj. Mundë të konkludojmë se procesi i fotosintezës paraqet sistemin kryesor për sintetizimin e lëndëve organike e cila përdorët edhe si burimi kryesor i lëndëve ushqyese për të ushqyerit të kafshëve shtëpiake.

Organizmi bimor si edhe ai shtazor përbëhen nga elementet e njëjta kimike: C, O, H, P, Ca, Mg, S, K, Cl, Na etj.
Mirëpo në organizmin bimor edhe në atë shtazor sasia dhe roli i tyre është i ndryshëm.

Përbërja kimike e organizmit bimor

Përbërja kimike e organizmit bimor varet nga disa faktor: lloji i bimës, fenofaza e zhvillimit, pjesa e bimës, kushtet e zhvillimit të sajë kushtet klimatike,tokësore nga teknologjia e aplikuar gjatë  kultivimit të bimës  dhe faktor mjaftë i rëndësishëm është mënyra e përgatitjes së ushqimit bimorë.

Uji – është përbërësi  kryesor i organizmit bimor. Te disa bimë uji mundë gjendet në sasi deri 90 % të sasisë së përgjithshme (kungulli, pangjari, gjethet e panxhar sheqerit etj). Në shumicën e bimëve të gjelbra sasia e ujit sillet 60-80%( jonxha e gjelbër, tërfili, bari i gjelbër, kolza, lakra foragjere) etj. Bimët e thata voluminoze varësisht nga teknologjia përgatitjes përbëjnë 10-20 % ujë (sana, kashta, talla, rriskat e terura të panxhar sheqerit etj.). Sasia e ujit të bimët varet nga fenofaza e zhvillimi të bimës, me rritjen e moshës së bimës zvogëlohet sasia e ujit. Ushqimet e koncentruar varësisht nga mënyra përgatitjes së tyre përbëjnë 10-25 % ujë. Hidratet e karbonit – Përbërësi i  dytë më i rëndësishëm i organizmit bimorë janë hidratet e karbonit. Varësisht nga lloji i bimës përqindja e hidrateve të karbonit në bimë sillet prej 30 -75%.

Hidratet e karbonit në organizmin bimor gjinden në  dy forma; 1. Në formë të celulozës e cila gjendet në pjesën e fortë të bimës (ushqimet voluminoze sane, kashtë) etj, 2. Në formë të amidonit ose lëndëve ekstrahuese jo azotike MEjoN në ushqimet e koncentruar ose në drithëra kokërr (misër, grurë, elb, tërshëra etj). Një pjesë e hidrateve të karbonit në bimë gjendët në formë të sheqerit (panxhar i sheqerit dhe pangjari foragjer).

 Proteinat – Te bimët gjenden kryesisht në pjesën aktive të bimës (gjethe) dhe embrionin  e bimës. Përbërja e proteinave varët nga dy faktor; lloji i bimës dhe fenofaza e zhvillimit të bimës. Në fazën fillestare të lulëzimit jonxha përmban deri 22% proteina ndërsa në fazën e fundit të lulëzimit niveli i proteinave  bie në 12%. Përqindje më të madhe të proteinave përmbajnë bimët vajore (lule dielli, kolza soja etj.)

Lëndët minerale – Në krahasim me organizmat shtazor organizmat bimor përmbajnë sasia më të vogla të mineraleve,dhe ato kryesisht janë të vendosura në pjesën aktive të bimës, posaçërisht në gjethe.

 Vitaminat – Bimët  përmbajnë edhe një sasi të vitaminave  dhe më së shumti gjenden në formë të provitaminës  të vitaminës  A beta karotinës.

 Yndyra – Në organizmin bimor gjendët në nivel më të ulët se në organizmin shtazor,kjo gjendet në pjesën aktive të bimës në farë dhe gjethe. Në bimët vajore sasia e yndyrës sillet prej 17-45% dhe në këto bimë energjia sigurohet  nga yndyra.

Përbërja kimike e organizmit të kafshëve

Përbërja e organizmit të kafshëve varet nga:  lloji i kafshës,kategoria,drejtimi i prodhimtarisë dhe nga mënyra e të ushqyerit.

Uji – Sasia e ujit në organizmin e kafshëve varët nga lloji  kategoria dhe mënyra e të ushqyerit, sasia e ujit në organizmin e kafshëve sillet prej 40-75%. Embrioni i viçit  menjëherë pas formimit përmban mbi 95% ujë,viçi i porsalindur përmban diku 75% ujë, ndërsa te viçat në moshë 5-6 muaj sasia e ujit zvogëlohet në 65-70%,kurse te gjedhi i rritur sasia e ujit tregon variacione prej 40-60%. Zvogëlimi i sasisë së ujit në organizmin e kafshëve vjen me rritjen e moshës për arsye të rritjes së yndyrës në organizmin shtazorë. Ekziston korrelacion negativ në mesë të sasisë së ujit dh të yndyrës në organizmin e kafshëve.

Yndyra – Sasia e yndyrës në organizmin e kafshëve është shumë më e lartë se në organizmin bimorë. Yndyra rritët me rritjen e moshës së kafshëve dhe kjo varët nga lloji i kafshës,kategoria dhe mënyra e të ushqyerit. Kryesisht yndyra gjendet e deponuar në disa pjesë të organizmit dhe shërben si lëndë rezervë energjetike.

Proteinat –janë përbërës mjaft stabil në organizmin e kafshëve ,sasia e proteinave më shumë varet nga lloji i kafshëve se sa nga elementet tjera.

Hidratet e karbonit – në organizmin e kafshëve gjenden në sasia të vogla (deri 0,7%) dhe kryesisht gjenden në formë të glikogjenit dhe glukozës, dhe luajnë rol të rëndësishëm në këmbimin e energjisë në organizmin e kafshëve.

Lëndët minerale – Në organizmin e kafshëve janë mjaft stabile, dhe kryesisht gjenden në sistemin skeletor. Roli i tyre është i rëndësishëm posaçërisht në kryerjen e funksioneve metabolike. Lëndët minerale luajnë rol edhe në procesin e oksidoreduktimit (Fe) etj.

Dallimet në mes të organizmit të kafshëve dhe bimëve janë: -Lëndë strukturale në organizmin e kafshëve janë proteinat ndërsa në organizmin e bimëve lëndë strukturale është celuloza. –  Lëndë rezervë energjetike tek kafshët është yndyra  ndërsa te bimët  janë hidratet e karbonit

Burimi informacionit: Bazat e Ushqimit të Kafshëve Tiranë 2013