Pershendetje forumi veterinereve. Desha te pyes perse nuk duhet te kesh mace ne shtepi kur je shtatzane? Gruas time doktorresha i kishte thene qe tani qe je ne muajin e 4 duhet ta largosh macen nga shtepia qe te ruhesh nga toksoplazmoza. Kaq i kish thene, kur ajo e kish pyetur per me gjate doktoresha ja kish prere shkurt = semundje qe merret nga macet dhe mund ta marre femija. Une macen e kam ne shtepi qe para se te martohesha kam 5 vjet qe e mbaj brenda dhe vaksinat ja kam bere, me vjen shume keq ta largoj tani.A eshte e vertete dhe a eshte kjo ( toksoplasmoza) nga ato semundjet qe i kane kafshet dhe kalojne tek njerezit dhe ju lutem a mund ta testoj rreth kesaj semundje une macen time? Ju faleminderit
Përgjigje nga Dr Atalvin Zhiva:
Përshëndetje! Si fillim dua t’ju uroj gruan tuaj dhe ju, për këtë lajm të gëzueshëm që keni! Urime!
Ju uroj me një bebush të shëndetshëm dhe me jetë të gjatë!
Po, doktoresha ka të drejtë kur thotë se Toksoplazmoza është një sëmundje që mund të kalojë nga kafshët tek njerëzit.
Këto lloj sëmundjesh quhen ZOONOZA.
Por, me plot gojën ( dhe me keqardhje) ju them se; doktoresha nuk ka te drejtë kur thotë se macja juaj duhet të largohet nga shtëpia. Me pak higjenë dhe përkujdesje nga ju, gjithcka do të ecë mrekullisht. Kësaj pyetje i jam përgjigjur disa herë. Për t’ju sqaruar më mirë ju (por dhe të gjithë të interesuarit), unë po e trajtoj më gjërësisht këtë temë duke e filluar se; C’farë është toksoplazmoza?
Toksoplasmosis:
Toksoplazmoza është një sëmundje e shkatuar nga një organizëm protozoar të quajtur Toxoplasma gondii. Prek shumë kafshë- më së shumti delet, macet, por dhe njerëzit- gjithashtu mund të prekë dhe insektet, peshqit, si dhe krimbat e tokës mund të jenë mbartës. Duke qënë se është një rrezik se mund të prekë dhe fëmijët e palindur, mjekët e njerëzve shkojnë deri në ekstremitet duke ju këshilluar ta largoni, apo të mos mbani mace në shtëpitë tuaja.
Por kush është rreziku ndaj fëmijëve të palindur akoma?
Një njeri i prekur nga infeksioni i Toksoplazmozës (forma akute) kalon disa forma të sëmundjes si; temperaturë e lartë, ethe, enjtje e gjëndrave limfatike, ngrirje të muskujve (ngurtësim), dhimbje të kyceve, enjtje e mëlcise dhe/ose të shpretkës etj. Këto simptoma ndonjëherë janë aq të zbutura(lehta) sa mund të kalojnë pa u vënë re nga njerëzit. Sëmundja mund të zgjasë nga 1 deri në 12 javë dhe shpesh ngatërrohet me një “ftohje të keqe” që po kalojmë.
Kurse tek gratë shtatzëna, organizmat e Toksoplazmës mund të kalojnë placentën. Sasia e dëmtimit që mund të pësojë fetusi varet nga periudha ( faza) e shtatzanisë në kohën e infeksionit. Infeksionet nga shtatzania e hershme mund të rezultojnë me dëmtime të rënda, deri dhe në dështim të fëmijës, po ashtu egziston rreziku që të mund të dëmtojë dhe shikimin e fëmijës ( për shkak të inflamacionit të rutinës), si dhe me/ose dëmtime të rënda neurologjike. Ndonjëherë këto dëmtime nuk janë prezente në lindje, por mund të shfaqen në periudhat e mëvonshme të jetës.
Për fat të mirë nga raportimet e bëra rezulton se; në rastet e grave shtatzëna të infektuara, vetëm 30-40 % pësojnë dëmtime të fetusit, ku shumica ka të bëjë me dëmtimin e shikimit.
Problemet që kam përmendur më sipër, ndodhin vetëm atëhere kur një grua shtatzanë infektohet me Toksoplazmozën për herë të parë, pra kur nuk e ka kaluar këtë sëmundje në të shkuarën. Personat që e kanë kaluar këtë infeksion më parë, nuk ka gjasa të preken sërisht, apo që ta kalojnë infeksionin tek fëmijët e palindur. Në përgjithësi njerezit që preken më shumë se një herë nga Toksoplazmoza, janë njerëzit me sistem imun të dobësuar, që vuajnë nga sëmundje të tjera ( psh SIDA, apo që marrin terapi të ndryshme për kancer etj)
Si kalon Toksoplasmosis nga kafshët tek njerëzit?
Organizmat e Toksoplazmozës ndodhen në 2 forma themelore: ajo në formën e një zigote ( oocyst) e cila gjendet në fecet e maceve, si dhe faza ku Toksoplazmoza gjendet në indet e kafshëve që përdoren për ushqim sic janë derrat dhe qengjat. Një person që e merr në njërën apo tjetrën rrugë infkesionin, preket nga Toksoplazmoza. Duhet përmendur se dhe qumështi i dhive i pazjerë është gjithashtu një burim infektimi.
Por nëse macja ime ka Toksoplazmozë ajo është e sëmurë, apo jo?
Nuk është e thënë. Forma e infkesionit që prek njeriun, është faza kur infeksioni gjendet tek zorrët e maces dhe përhapen në fekale, ku njeriu duke rënë në kontakt e merr kështu në këtë mënyrë. Macet ndonjëherë mund të kenë diarre por dhe mund të mos shfaqin asnjë shënjë.
Shënjat akute që mund të shfaqen tek macet janë tënjëjta me ato tek njeriu, gjithsesi tek macet e rritura, simptomat janë zakonisht minimale dhe të padallueshme. Në këtë fazë Toksoplazmoza nuk është ngjitëse tek njeriu, infeksioni duhet të kalojë në fazat e tjera që u përmendën më lart. Por duhet përmendur se tek macet që janë shtatzanë ( me barrë) infkesioni mund të epërtoje palcentën dhe të preke kotelet e palindura.
Në c’mënyrë infeksioni kalon nga macja tek mua?
Shumicat e rasteve një mace e ka kaluar tashmë Toksoplazmozën, njerëzit e prekur zakonisht e kanë marrë atë nga konsumimi i mishit në indet e të cilit është gjendur infeksioni, duke e konsumuar mishin të pagatuar mjaftueshëm.
Zakonisht një mace lëshon zigotën ( oocyst) kur preket për herë të parë nga Toksoplazmoza, tek macet që e kanë kaluar njeherë ( apo më shumë) këtë infeksion, nuk kalojnë në fazën e përhapjes së oocysteve. Përjashtim mund të kemi vetëm në rastet kur sistemi imun tek kjo mace është i komprometuar ( psh nëse macja vuan nga virusi i Leukemisë, apo kur po trajtohet me medikamente të ndryshme). Tek macet që kryhet përhapja e zigotës ( oocyst), kjo ndodh për një periudhë nga 5 deri 14 ditore.
Zigotës ( oocystit) i duhen 24 deri 48 orë për të kaluar në fazën tjetër ( sporulate), forma që është e rrësikshme për njeriun. Për këtë arsye, kutia e rërës që keni për macen tuaj në shtëpi duhet të pastrohet c’do ditë apo dhe 2 herë në ditë. Një mënyrë tjetër e rrezikshmë është kur zigota( oocyst) bie në kontakt me perimet apo frutat e ndryshme në kopsht.
Theksoj se temperaturat nën zero nuk mund ta vrasin virusin, po ashtu si dhe nuk mund të vrasin virusin tek mishi i prekur edhe kur mbahet në frigorifer në ngrirje.
Qentë që kanë tendecë të hanë fekalet e maceve(po miku më i mirë i njeriut ndodh që dhe të kryejë këtë veprim), mund të përhapin zigotën (oocyst) pas 2 ditësh pasi ka konsumuar ato.
A egziston një test për macen që të dallojmë nëse ka Toksoplazmozën?
Po egziston një test që mund të tregojë nëse macja juaj ka kaluar tashmë toksoplazmozën, fatkeqësisht nuk jam i sigurt se ku mund ta gjeni një të tillë për macen tuaj në Shqipëri.
Si mund të ruhem unë nga infeksioni?
- Përgjithësisht gjëja më me rëndësi që ju rekomandoj është të tregoheni të kujdesëshëm kur piqni mishin , vecanërisht atë të qingjit dhe të derrit.
- Tregoni higjenën e nevojshme duke larë duart sa herë që pastroni kutinë me rërë të maces, apo e prekni ( krihni ) atë.
- Tregohuni të kujdesëshëm ku e hidhni kutinë me rërë, në asnjë mënyrë në kopshtin me zarzavate.
- Pastroni kutinë me rërë c’do ditë. Nëse një grua është shtatzënë, sigurisht e mira është që dikush tjetër të kujdeset për macen përgjatë periudhës së shtatzanisë.
- Kini parasysh se macet mund ta marrin Toksoplazmozën, kur kanë akses me ambjentet ku mbahen kafshët për mish ( qignjat , derrat), por dhe nga gjuetia e rodenteve të ndryshëm. Pra nëse keni mundësi, ta mbani larg këtyre ambjenteve macen tuaj.
- Mos pini qumësht të pazjerë, aq më shumë prej dhije.
- Megjithëse toksoplazmoza mund të merret dhe nga macet, nuk është gjetur një urë lidhje mes pronareve që kanë mace dhe infeksionit nga Toksoplazmoza. Megjithatë një mënyrë e raportuar e marrjes së Toksoplazmozës, është bërë tek ata njerëz që punojnë direkt me mish të freskët (psh në thertore). Prandaj tregohuni të kujdesëshëm kur prekni mish të pagatuar.
Keshillat e përbashkëta që haset tek të gjitha artikujt që flasin për Toksoplazmozën janë:
LANI DUART, LANI DUART, LANI DUART- HIGJENE, HIGJENE, HIGJENE
Përgatiti Dr Atalvin Zhiva
Nuk lejohet përdorimi i këtij materjali pa lejën e redaksisë.