Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Ruminantët – Të mëdhenj dhe të vegjël » Gjuha blu (Bluetongue) në dhen dhe gjedh- Shënjat klinike, Diagnoza dhe Parandalimi.

Gjuha blu (Bluetongue) në dhen dhe gjedh- Shënjat klinike, Diagnoza dhe Parandalimi.

SHËNJAT KLINIKE

Mushkonja culicoides, transmetuese e infeksionit (virusit)

Mushkonja culicoides, transmetuese e infeksionit (virusit)

Virusi transmetohet gjatë pickimit të Culicoideve. Virusi i Gjuhës blu (Bluetongue), nuk transmetohet natyralisht nga njera kafshë tek tjetra, por vetëm nëpërmjet mushkonjave. Piku i popullacionit të mushkonjave arrihet gjatë verës së vonshme dhe vjeshtës dhe kjo është koha kur vrehet Blutongu (gjuha blu). Ëshët parë që mushkonjat mund të lëvizin në një ditë në distancën nga 1.5-2 km, por në rast se kushtet metereologjike janë të favorshme, ato mund të lëvizin edhe më shumë, sidomos në rastet e prezencës së erës, jo shumë të fuqishme ato mund të lëvizin deri në 200 km. Blutongu (gjuha blu) karakterizohet nga ndryshime në membranat mukoze të gojës dhe të hundës si dhe të zonës koronare të thundrës. Shënjat klinike janë shumë të rënda në dhën, porse dhe gjedhët shfaqin shënja klinike të sëmundjes në fjalë. Mjeku veteriner, duhet të thiret nga fermeri në rastet kur vren në tufë një numur të madh kafshësh me çalime, temperaturë të lartë rektale, salivacion, rrjedhje lotesh si dhe rrjedhje nga hunda e sytë.

DHËNTË

blutang ne dhen4Shënjat klinike të kësaj sëmundje në dhën, varen nga shtami viral dhe racat e dhënve dhe shfaqen pas një periudhe inkubacioni nga 4 deri në 12 ditë. Zakonisht vetëm një numur i kufizuar dhënsh shfaqin shënja klinike. Në dhëntë që mbahen në mënyrë ekstensive, ndodhin vdekje të pashpjegueshme të tyre, e cila mund të jetë si një shënjë e parë e prezencës së sëmundjes.

blutang ne dhen2

Dhëntë e prekura kanë temperaturë deri në 420 dhe duken si të ngrira e mezi lëvizin. Shpesh ato mbajnë kurrizin në formën e një harku dhe kokën e varur poshtë. Kanë ënjtje në faqe dhe në veshë si dhe edema pulmonare të cilat mund të shkaktojnë vështirësi në frymëmarje.

blutang ne dhen5Erozionet që vrehen në gjuhë, mund të përparojnë drejt ulçerave.

Ka një salivacion shumë të shtuar (profuz), rrjedhje seroze ose mukopurulente nga hundët.

blutang ne dhen6Ka një skuqje të zonës koronare, përreth buzës dhe gojës.

blutang ne dhen3

Sëmundja e blutongut (gjuha blu) në periudhën e mbarsmërisë, mund të rezultojë në një përqindje të madhe të humbjeve embrionale dhe sipasojë e kësaj, dhëntë kthehen përsëri tek estrusi në intervale jo të rregullta.

blutung ne dhen1Vdekjet e dhënve në një tufë të prekur mund të arrijnë deri në 70% ose dhe më shumë. Kafshët e mbetura gjallë, humbasin kondicionin, kanë ulje të prodhimit të mishit dhe leshit. Shënjë tipike është dhe ngjyra blu e gjuhës, nga ku sëmundja ku marrë dhe emrin, por theksojmë se kjo nuk vrehet gjithmonë. Sëmundja më e rëndësishme, që duhet diferencuar në këtë rast, është afta epizootike. Gjatë kësaj sëmundjeje, kemi një përqindje më të madhe të kafshëve të prekura në tufë, ato kanë temperaturë të lartë si dhe erozionet vrehen brënda në gojë, në kurrorën koronare si dhe midis gishtrinjve. Ektima ngjitëse është shumë e dallueshme nga blutongu (gjuha blu). Infeksioni clostridial, si quhet koka e madhe, mund të shkaktojë tek dhëntë e sëmura rritje në volum të kokës, temperaturë të lartë, porse në këtë rast janë të infektuar vetëm dhëntë e pavaksinuara dhe pak dhën të tjera. Fotot e dhenve me poshte jane orgjinale.

GJEDHËT

Gjedhët e infektuar, zakonisht nga serotipi 8, kanë temperaturë që arrin deri në 400 dhe duken si të ngrira, si pasojë e prekjes së zonës koronare të thundrës dhe lëvizin me shumë vështirësi.

blutang ne gjethNga hunda kanë rrjedhje mukoze deri në seromukopurulente, erozione në buzë si dhe ulçerime të mukozës. Ka gjithashtu lakrimacion, por sytë nuk janë të prekur. Lopët e prekura kanë ënjtje të kokës dhe të qafës, edemë poshtë nofullës si dhe ënjtje të sisëve. Krahas këtyre gjedhët kanë dhe salivacion të shtuar (shif fotot përkatëse më poshtë)

blutang ne gjedh2

blutang ne gjedh3

Më e rëndësishme në rastin e prekjes së gjedhëve, është diferencimi nga afta epizootike. Në rastin e kësaj të fundit , ka një salivacion profuz, temperaturë shumë e lartë tek gjedhët dhe përhapje shumë e shpejtë e infeksionit. Diagnoza diferenciale duhet bërë dhe nga rhinotrakeiti infektiv i gjedhit si dhe nga ethja katarale malinje. Kjo e fundit dallohet për karaterin sporadik që ka. Nga rhinotrakeiti infektiv i gjedhit , krahas temperaturës vihet re dhe shënja respiratore, dështime si dhe mungesa e lezioneve në thithat e gjirit.

DIAGNOZA

testi ELISA BlutongueDiagnoza e sëmundjes bazohet në shënjat klinike, por meqënëse ato jo gjithmonë janë tipike, përdorimi i serollogjisë me testin e ID në agar xhel apo me përdorimin e testit të ELISA, që evidentojnë antitrupat specifik është e domosdoshme që të kryhet. Në këtë rast menjëherë sapo dyshohet për prezencën e kësaj sëmundjeje, nga prezenca e shënjave të përmëndura më lartë dhe që të krijojnë dyshimin për këtë infeksion, dërgohet gjak në laborator dhe pritet vendosja e diagnozës. Theksojmë se jo gjithmonë sëmundja e blutongut shfaqet me shënjat tipike të saj. Në vendin tonë në vitin 1999, kur ajo u diagnostikua për herë të parë, u shfaq vetëm me çalime, ulje të prodhimit të qumështit si dhe edema në kokë dhe nën nofull dhe kryesisht në dhën (Prof. K.Bërxholi 1999). Materiali patollogjik, gjithmonë shoqërohet me fletë shoqërimi ku jepen hollësisht të gjitha të dhënat e klinikës që janë vënë re nga pronari apo specialisti veterinar. Me marjen e përgjigjes menjëherë informohet shërbimi veterinar shtetëror.

Sëmundja nuk ka trajtim specifik. Për të parandaluar infeksionet sekondare, mund të përdoren antibiotikët si dhe merren masa për të lehtësuar gjëndjen e përgjithëshme të rënduar të kafshëve të prekura.

PARANDALIMI DHE KONTROLLI I SËMUNDJES

Kontrolli i sëmundjes së Blutongut (gjuhës blu) është shumë i vështirë, për shkak të egzistencës së bujtësve të shumtë potencialë si dhe serotipeve të shumtë. Ndërkohë që mbajtja e kafshëve të ndjeshmë larg vektorëve transmetues të virusit nuk është praktike. Për këto arsye kontrolli i sëmundjes së blutongut bazohet në përdorimin e vaksinave, të cilat aktualisht përdoren gjërësisht në botë. Vaksinat e gjalla dhe të modifikuara , mund të shkaktojnë viremi e cila krijon kushte për përhapje të virusit si dhe krijohen kushte për rikrijim të shtameve të rinj si pasojë e egzistencës së shtamit rrugaç. Për këtë arsye përdorimi i vaksinës duhet bërë me kujdes dhe duke vlerësuar në të njëjtën kohë shumë faktorë si p.sh periudha e shfaqjes së mushkonjave përgjegjëse, periudha e lindjeve etj faktorë. Në Skoci p.sh vaksinimi bëhet në periudhën kur nuk ndodh transmetimi, në dimër.

Shënim: Fotot janë orgjinale të bëra këto ditë dhe të dërguara nga specialistët e shërbimit veterinar në rrethe si dhe studentat e mij, të cilët i falenderoj për kontributin!

Për hollësira të tjera mund të shfrytëzoni dhe tekstin Virologjia Veterinare, botim i vitit 2014 dhe Tekstin DIAGNOZA ANATOMO PATOLLOGJIKE …2008 Pjesa e I

(Prof. Kristaq BËRXHOLI dhe Prof. Ludwig HAAS-Universiteti HANNOVER Gjermani).

Profesor Dr. Kristaq Bërxholi
Virolog
Tiranë –
Shqipëri

Nuk lejohet ripublikimi i këtij materiali pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.

Ju lutemi në rast referimi nga ky shkrim të përmendet linku i veterineret.com si dhe autori i shkrimit!


2 Komente

  1. Ervis Hoxha thotë:

    a demshperblehen fermeret e prekur?

    • Sipas nje njoftimi e leshuar nga Ministria e Bujqesise Date 26 Shtator 2014 thuhet se : Ministria e Bujqësisë bën të ditur se kanë filluar pagesat për krerët e ngordhura nga sëmundja në masën 5000 lekë të reja për kokë. Fondi në dispozicion është 10 milion lekë të reja.

Na shkruani