Pershendetje desha te pyes se pasi lexova artikullin tuaj rreth “Toksiciteti nga cokollata ” , nuk munda te gjej sa eshte doza qe nje qen duhet te haje qe ti fillojne problemet.Ju lutem a mund ta shkruani kush eshte sasia e cokollates qe nje qeni i fillojne problemet pasi e ha?
Dr Atalvin Zhiva :
Kësaj pyetje është e vështirë ti japim një përgjigje të prerë. Përgjigja varet nga lloji i cokollatës , sasia e konsumuar , madhësia e qenit apo maces.
Këto të dhëna duhet të kihen parasysh kur përllogaritet për të parë sesa cokollatë është shumë dhe shkakton probleme.
Në fakt studimet kanë treguar se problemet janë serioze kur kafsha juaj ka konsumuar një sasi të metilksantinës ( teobrominë + kafeinë) rreth 100-200 mg për kg peshë.
Por nga qëndrat e toksicitetit janë raportuar se problemet fillojnë që në një dozë aq të vogël sa është doza prej 20 mg për kg peshë .
Bazuar në këto qëndra në varësi të konsumit që është bërë nga kafsha po parqesim disa prej shënjave klinike dhe dozës se teobrominës se konsumuar :
shënja të lehta që kanë më shumë probleme me tretjen shfaqen tek kafshët që kanë konsumuar një sasi prej 20 mg/kg metilksantinës ( teobrominë + kafeinë) , shënja më të rënda tek kafshët që kanë konsumuar 40-50 mg /kg metilksantinës ( teobrominë + kafeinë) si dhe më të rënda deri dhe me epilepsi shfaqen tek kafshët që kanë konsumuar më shumë se 60 mg / kg metilksantinës ( teobrominë + kafeinë) .
E thënë disi më konkretisht do të thoja se nëse kanë konsumuar diku te~ 56 gram cokollatë e bardhë për kg peshë të kafshës, konsiderohet vërtet e rrezikëshme.
Ndërsa për cokollatën, nëse kanë konsumuar diku te~ 5 gram cokollatë e zezë për kg peshë të kafshës, konsiderohet e rrezikëshme për jetën e tyre.
Në revistën ” Veterinerët ” së shpejti do të gjeni një tabelë ku do të jenë dozat e metilksantinës ( teobrominë + kafeinë) që përmbajnë disa prej cokollatave që gjenden më së shumti në familjet tona .
Metilksantina është vërtet e rrezikëshme prandaj trajtoheni me seriozitet situatën nëse do të përballeni me një rast të tillë.
Pra nëse do të keni një emergjencë të tillë ( nuk e uroj asnjeherë ) mos harroni të jeni të sigurt për sasinë e cokollates së konsumuar dhe gjithashtu është shumë e rëndësishme nëse do të keni me vete ambalazhin e cokollatës për të ndihmuar mjekun veteriner të llogarisë dozën e metilksantinës ( teobrominë + kafeinë) që dyshohet se është konsumuar nga kafsha juaj.
Përgjigjia u përgatit nga Dr Atalvin Zhiva