Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare
Advertisements

Nga Profesor Fadil Kukleci

–(Të dhënat bashkëkohore mbi kurimin e pestës amerikane)–

Sikurse të gjithë organizmat e gjallë, edhe bletët janë të atakuara nga sëmundje të ndryshme. Shkaktarë të këtyre sëmundjeve mund të jenë :

  1. Insektet ( varroa , acarapis etj. )
  2. Protozoat ( Nosema apis, N. Cerana, sëmundjet ameboidale dhe shumë protozoar tjerë mikrosporidial ).
  3. Myku ( askosferoza , aspergilloza etj. ).
  4. Bakteret ( Sëmundjet bakteriale – Septikemia, Pesta amerikane, Pesta evropiane, Paratifoja etj. ).
  5. Viruset ( sëmundjet virusale – sot janë të përshkruara mbi 18 lloje të këtyre sëmundjeve ).

Disa prej këtyre shkaktarëve shkaktojnë sëmundje vetëm të bletët e rritura, disa në pjellë, e disa në të dy gjeneratat.

 

Kurimi i pestës amerikane sipas metodës që aplikohet në Institutin Gjerman

< Bee Research Institut Celle >

Nëma më e madhe në popull është “Të rafte murtaja“, pra murtaja është një sëmundje mjaft e rrezikshme qe prekë të gjithë organizmat e gjallë duke përfshirë edhe bletët. Kjo sëmundje bën pjesë në sëmundjet e pjellës së mbyllur.

Shkaktar i kësaj sëmundje është Paenibacillus larvae. Karakteristikë e kësaj baktere është se formon spore shumë rezistente, si ndaj kushteve të ambientit të jashtëm (temperaturës, lagështisë, dritës etj.) njashtu edhe ndaj dezinfektuesve të ndryshëm; për shembull në formalinë 20% shkatërrohen tek pas 30 min.

Paenibacilus larvae : a – sporet, b – forma vegjetative

Përkundrejt sporeve format vegjetative  janë të ndjeshme ndaj temperaturës, thatësisë, mjeteve dezinfektuese dhe antibiotikëve.

 

Burimet e infeksionit

  1. Bletët – këto duke ushqyer larvat apo duke lëvizur nëpër hojet me pjellë infektojnë larvat me spore.
  2. Mjetet e punës – duke punuar me të njëjtat mjete, ekziston mundësia qe të bartet sëmundja prej një zgjoi në tjetrin.
  3. Mjalti – duke i ushqyer bletët me mjaltë të infektuar.
  4. Petëve të dyllit etj.

 

Si vije deri të infektimi?

 

Bletët duke i ushqyer larvat bartin me vete edhe sporet. Sporet me të arritur në traktin digjestiv menjëherë kalojnë në zorrën e hollë, ku bëhet mbirja e tyre, me ç’rast format vegjetative të kësaj baktere nëpërmes të paretit të zorrëve depërtojnë në indet trupore duke i shkatërruar ato.

Larvat më të ndjeshme janë ato njëditëshe, ndërsa me plakjen e tyre gjithnjë u rritet imuniteti.

Pse ndodh kjo?

Me plakjen e larvës vije gjithnjë duke u zhvilluar sistemi i traktit digjestiv me ç’rast në mes të qeskës së mjaltit dhe zorrës së hollë paraqitet një ngushticë (pilori) në të cilën formohet edhe një rrjetë e cila pengon depërtimin e mëtutjeshme të sporeve.

Pra, shkaku që bletët e rritura nuk sëmurën nga kjo baktere, është se sporet e tyre nuk mund të depërtojnë ne zorrën e hollë ku kishin për t’u mbirë ato. Qeska e mjaltit deri ku kanë arritur sporet nuk është ambient i përshtatshëm për mbirjen e tyre për shkak të përqendrimit të sheqernave dhe enzimave që dominojnë këtu.

 

Shenjat e sëmundjes

 

Në shikim të parë të kornizave me pjellë, vërejmë plot qeliza të zbrazëta (pjellë të rralluar).

Nga zgjoi kundërmon një aromë e keqe, kapakët e qelizave të sëmura janë ngjyrë kafeje të mbylltë, të gropuara dhe të shpuara. Larvat e infektuara marrin ngjyrë kafeje të mbylltë dhe nëse fusim një rrëmojëse në te, prapa sajë do të zgjatët një masë jargore ngjyrë kafeje.

Të gjitha këto shenja shtojnë dyshimet për ketë sëmundje, mirëpo fjalën përfundimtare e japin analizat laboratorike nga laboratorët e autorizuar për këtë qëllim.

            

Veprimet qe duhet ndërmarr pas identifikimit të sëmundjes janë të rregulluara me ligj në të gjitha shtetet e Evropës si edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Familjet e sëmura duhet të asgjësohen në prezencë të komisionit të përberë nga përfaqësuesi i organit të autorizuar nga shteti, përfaqësuesi i shoqatës dhe pronari. Kompensimin e dëmit e bën shteti (tek ne në Kosovë kompensimi bëhet nëpërmes të Agjensionit Kosovar të Veterinës).

 

Asgjësimi bëhet duke i djegur familjet e bletëve.

Pasi qe shkaktar të kësaj sëmundjeje janë bakteret, deri vonë për trajtimin e tyre janë përdor antibiotikët fumidin B , fumagulin, oxatetraciklin etj. Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite ato vazhdojnë të përdoren në vendin tonë dhe në disa vende përreth nesh.

A duhet përdorur? –  NË ASNJË MËNYRË.

PSE?

Antibiotikët lënë mbetje në mjaltë, dyllë dhe produktet tjera të bletës, andaj si të tilla janë të dëmshme edhe për shëndetin e njeriut. Për këtë shkak përdorimi i antibiotikëve në bletari në Bashkimin Evropian është i ndaluar me ligj, prandaj edhe synimi i ynë është që t’i bashkohemi këtij unioni.

Sipas mendimit tim ekziston edhe një arsye edhe më e madhe pse nuk duhet përdor antibiotikët në bletari. Kjo për faktin se në traktin digjestiv të bletëve jetojnë mbi 25 lloje të baktereve që paraqesin florë normale të traktit digjestiv, të cilat do të shkatërroheshin nga përdorimi i antibiotikëve. Bakteret e florës normale janë të domosdoshme për zhvillimin e traktit digjestiv.

A duhet  djegur familjen?  –  JO.

Djegia bëhet vetëm në raste kur nuk kemi se çka të shpëtojmë, pra kur nuk ia vlen të merremi me to.

Atëherë si duhet vepruar?

Sipas hulumtimeve të bëra në Institutin e Bletarisë ‘Bee Research Institut Celle’ të udhëhequra nga  Dr.Otto Boecking kanë ardhur në përfundim se këtë sëmundje mund ta mbajnë nën kontroll në terë territorin e Gjermanisë, gjë që edhe ia kanë arritur ta bëjnë në ketë mënyrë.

Në Gjermani bletarët janë të regjistruar në shoqata me çrast këta janë të obliguar tu përmbahen disa rregullave.

Së pari çdo bletar është i obliguar qe një herë në vit të qoj mjaltin për analiza në institutin përkatës. Në analiza përpos të tjerave përcaktohet prezenca apo mos prezenca e sporeve të Paenibacilus larvae në mjaltë. Për çdo 12 familje merret një mostër. Shpenzimet e analizave i bartë shteti. Nëse analizat dalin pozitive atëherë alarmohen organet përkatëse të atij regjioni për ta gjetur vatrën e infeksionit. Nuk do të thotë se vatra e infeksionit është në atë bletore, por atë duhet kërkuar në një rreze prej 3 km përreth.

Pasi të gjendet familja e infektuar, hapet zgjoi, para zgjoit në tokë qesim një folije, pastaj kërkojmë mëmën, e gjejmë dhe e fusim në kafaz. Të gjitha mizat i shkundim në folije, mëmën e kthejmë në zgjua dhe e mbulojmë, ndërsa mizat dalëngadalë kthehen në vendin e vetë. Zgjoin nuk duhet lëvizur nga vendi i vet, nuk duhet mbyllur derën dhe nuk duhet ushqyer familjen, ajo duhet të lëvizë lirisht. Në këtë gjendje ajo duhet të qëndrojë 3 deri në 5 ditë (3 – 5).

Hojet me pjellë shkrihen, u merret dylli, ato me mjaltë centrifugohen, u merret mjalti i cili mund të shfrytëzohet për konsumim pasi që sporet e kësaj baktere nuk janë të dëmshme për njeriun por në asnjë mënyrë këtë mjaltë nuk duhet dhënë bletëve. Centrifuga dhe kornizat duhet dezinfektuar mirë. Folija me materialin e mbetur në te digjet.

Gjatë kësaj periudhe vije deri të shkundja e sporeve nga trupi i bletëve ( pra bletët lirohen nga sporet ).

Pas  3 – 5  ditëve marrim zgjoin e ri të mbushur me korniza të reja, e vendosim në vend të zgjoit të vjetër, ndërsa të vjetrin e shtyjmë anash. Para zgjoit prapë vendosim folije, e hapim zgjoin e vjetër, pastaj marrim mëmën me kafaz e vendosim në zgjoin e ri e të gjitha mizat nga zgjoi i vjetër i shkundim ne folije. Mizat dalëngadalë do të kthehen në zgjoin e ri, aty ku është edhe mëma. Folija me materialin e mbetur digjet, ndërsa zgjoi dezinfektohet.

Në këtë mënyrë Gjermanët kanë arritur qe këtë sëmundje ta shporrin nga trualli i tyre dhe ta mbajnë nën kontroll.

 

 

Teksti nuk lejohet të përdoret pa leje të redaksisë apo autorit të shkrimit.
Ju lutemi në rast referimi duhet të përmendet autori, burimi i informacionit dhe linku përkatës.

Prishtinë                                                                             Autor

2.12. 2017                                                               Prof.  Fadil Kukleci

Advertisements
Këtë e pëlqejnë %d blogues: