Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për fermerët, pronarët dhe dashamirësit e kafshëve » Udhëtimi me kafshët shoqëruese dhe kafshë të tjera në BE

Udhëtimi me kafshët shoqëruese dhe kafshë të tjera në BE

Nga Mjek Veteriner Dr Bledion Rushiti DMV


Udhëtimi me kafshë shoqëruese: si qentë, macet dhe ferretat (qelbës i butë).
Rregullat e BE-së e bëjnë të lehtë udhëtimin në një vend tjetër të BE-së (në këtë rast 27 vendet e BE-së + Norvegjinë dhe Irlandën e Veriut) me qenin, macen ose ferretin tuaj. Këto rregulla mbulojnë gjithashtu udhëtimin në BE nga një vend ose territor jashtë BE-së.

Me disa përjashtime, kafsha juaj mund të udhëtojë me ju në një vend tjetër të BE-së ose nga një vend jashtë BE-së në një vend të BE-së nëse ka:

  • Një mikro-çip (në përputhje me kërkesat teknike të Aneksit II të Rregullores së BE-së për lëvizjen e kafshëve shtëpiake) ose ka një shenjë – tatuazh qartësisht të lexueshëm nëse aplikohet përpara datës 3 korrik 2011
  • Është i/e vaksinuar kundër tërbimit (rabiesit)
  • Është trajtuar kundër krimbit të shiritit ‘’Echinococcus multilocularis’’, ku zona juaj e destinacionit është e lirë nga ky krimb-shirit (Finlanda, Irlanda, Malta, Norvegjia dhe Irlanda Veriore)
  • Dispononi një pasaportë të vlefshme evropiane për kafshët shtëpiake, kur udhëtoni nga një vend i BE-së ose Irlanda e Veriut në një vend tjetër të BE-së ose nga Irlanda e Veriut ose një certifikatë e shëndetit të kafshëve të BE-së, kur udhëtoni nga një vend jo anëtar i BE-së.

Paralajmërim
Rregullat e BE-së të përshkruara më sipër për udhëtimet me kafshë shoqëruese zbatohen për udhëtimet private me kafshë shoqëruese të cilat nuk përfshijnë ndryshim pronësie ose shitje.

Dokumentet e udhëtimit për qenin ose macen tuaj

  • Pasaporta evropiane e kafshëve shoqëruese
  • Një pasaportë evropiane është një dokument për kafshët shoqëruese, i cili ndjek një model standard të BE-së dhe është thelbësor për udhëtimet midis vendeve të BE-së. Ai përmban një përshkrim dhe detaje të kafshës suaj, duke përfshirë mikroçipin ose kodin e tatuazhit, si dhe të dhënat e vaksinimit kundër tërbimit dhe detajet e kontaktit të pronarit dhe veterinerit që ka lëshuar pasaportën. Ju mund të merrni një pasaportë evropiane për kafshët shtëpiake për qenin ose macen tuaj nga çdo veteriner i autorizuar (i lejuar nga autoritetet përkatëse për të lëshuar pasaporta për kafshët shtëpiake). Pasaporta e kafshëve shtëpiake është e vlefshme për gjithë jetën për sa kohë që vaksinimi kundër sëmundjes së tërbimit është në brenda datës së lejuar.

Paralajmërim
Nëse jeni duke udhëtuar në një vend të BE-së ose në Irlandën e Veriut nga Andorra, Zvicra, Ishujt Faroe, Gjibraltari, Grenlanda, Islanda, Lihtenshtajni, Monako, Norvegjia, San Marino, Shteti i Vatikanit, kafsha juaj mund të hyjë në BE edhe me një pasaportë të lëshuar për kafshë shtëpiake, në një nga këto vende ose territore.

Certifikata e BE-së për shëndetin e kafshëve
Një certifikatë e BE-së për shëndetin e kafshëve është një lloj tjetër dokumenti, i cili përmban informacion specifik për kafshën tuaj shtëpiake (identiteti, shëndeti, vaksinat kundër tërbimit) dhe bazohet në një model standard të BE-së).

Nëse po udhëtoni nga një vend ose territor jashtë BE-së, kafsha juaj duhet të ketë një certifikatë shëndetësore të BE-së të kafshëve, të lëshuar nga një veteriner zyrtar shtetëror në vendin e nisjes, jo më shumë se 10 ditë përpara se kafsha juaj të arrijë në BE. Certifikata është e vlefshme për udhëtime ndërmjet vendeve të BE-së për 4 muaj nga kjo datë ose deri në skadimin e vaksinimit kundër tërbimit, cilado që skadon e para.

Përveç kësaj, duhet gjithashtu të plotësoni dhe të bashkëngjitni një deklaratë me shkrim në certifikatën e shëndetit të kafshëve në BE të kafshës suaj, ku thuhet se zhvendosja e saj është për arsye jo komerciale. Kjo deklaratë kërkohet gjithashtu nëse kafsha juaj është duke udhëtuar nën përgjegjësinë e një personi të autorizuar nga ju. Në këtë rast, kafsha juaj duhet të ribashkohet me ju brenda 5 ditëve nga zhvendosja juaj.

Paralajmërim
Nga 1 janari 2021, pasaportat e BE-së për kafshë shtëpiake të lëshuara për një pronar kafshësh shtëpiake-shoqëruese rezident në Britaninë e Madhe nuk janë më të vlefshme për udhëtime me kafshë shtëpiake nga Britania e Madhe në një vend të BE-së ose në Irlandën e Veriut.
Kafshët shtëpiake që udhëtojnë pa pronarin e tyre
Si rregull, kafshët shtëpiake duhet të udhëtojnë me pronarët e tyre; megjithatë, ju mund t’i jepni leje me shkrim një personi tjetër që të shoqërojë kafshën tuaj për ju (kjo deklaratë me shkrim është përshkruar më sipër). Sidoqoftë, duhet të ribashkoni kafshën tuaj brenda 5 ditëve nga zhvendosja e saj.

Paralajmërim
Nëse kafsha juaj është duke udhëtuar e pashoqëruar, ajo do të duhet të respektojë rregullat e shëndetit të kafshëve që vlejnë për importin në BE ose tregtinë brenda BE-së të maceve, qenve ose qelbësve shtëpiak.

Udhëtimi me më shumë se pesë kafshë shoqëruese
Ju mund të udhëtoni së bashku me deri në pesë kafshë shtëpiake, por nëse ka më shumë se pesë kafshë shoqëpruese (qen, mace ose ferreta) duhet të jepni prova që:

  • ata janë duke marrë pjesë në një garë, ekspozitë ose ngjarje sportive (duke ofruar për shembull një dokument regjistrimi), dhe
  • janë më shumë se 6 muajsh.

Paralajmërim
Nëse jeni duke udhëtuar me më shumë se 5 kafshë shoqëruese (qen, mace ose ferreta) dhe nuk përmbushni asnjë nga përjashtimet e përmendura më sipër, kafshët tuaja duhet të respektojnë rregullat e shëndetit të kafshëve që zbatohen për importin në BE ose tregtinë brenda BE-së të qenve, maceve apo ferretave.
Kontrolloni rregullat e detajuara kur udhëtoni me qenin, macen ose ferretin tuaj!

Zgjidhni shtetin nga po udhëtoni
Udhëtimi me kafshë të tjera shtëpiake
Pasaportat evropiane të kafshëve shoqëruese lëshohen vetëm për qen, mace dhe ferreta-qelbësa. Nëse po udhëtoni në një vend tjetër të BE-së me ndonjë kafshë tjetër shtëpiake, si zogjtë, kafshët ujore dekorative, zvarranikët, brejtësit ose lepujt, kontrolloni rregullat kombëtare të vendit që planifikoni të vizitoni për informacion mbi kushtet e hyrjes.

Burimi i Informacionit: www .europa .eu ‘’Travelling with pets and other animals in the EU’’
Përgatiti për revistën Mjekësia Veterinare Shqiptare :
DMV. Bledion Rushiti