Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Figura të Shquara të Mjekësisë Veterinare Shqiptare » Respekt dhe mirënjohje kolegut dhe dëshmorit Bujar Syla

Respekt dhe mirënjohje kolegut dhe dëshmorit Bujar Syla

Në kujtim të përvjetorit të rënies së kolegut tonë Bujar Syla dhe 13 dëshmorëve të tjerë të Atdheut, të rënë më 29.03.1999 në Shishman të Bokës

Respekt dhe mirenjohje per deshmorin e atdheut Bujar Syla

Nga Dr. Atalvin Zhiva

Sot përulemi me respekt dhe nderim përpara kujtimit të kolegut tonë, Bujar Syla, i cili nuk kurseu jetën për lirinë e Kosovës.

Ndoshta, nëse Bujari do të kishte zgjedhur të mos merrte pjesë në luftë, sot do të ishte mes nesh, ndoshta duke ndarë raste klinike, mendime profesionale, apo duke sjellë humorin e tij të hollë dhe të veçantë që nuk e linte kurrë. Por, duke e njohur nga afër, e di se ai nuk mund të qëndronte duarkryq ndërsa vëllezërit dhe motrat e tij po përballeshin me dhunën dhe vdekjen në Gjakovë. Kjo nuk ishte në natyrën e tij dhe as në bindjet që mbante fort në zemër: Ta shihte Kosovën të lirë.

Na mungon shumë, o Bujar Syla.

I mungon familjes, miqve dhe kolegëve të tij. Por ai mund të prehet i qetë, sepse amaneti i tij u përmbush: Kosova është e lirë. Sot, të gjithë ne përulemi me respekt para tij dhe shokëve të tij dëshmorë.

Nuk është vetëm detyrim moral, por edhe një nevojë shpirtërore që të ndaj me kolegët dhe miqtë historinë e studentit të Veterinarisë dhe kolegut tonë të përjetshëm, Bujar Syla, një shembull i rrallë i përkushtimit, sakrificës dhe idealizmit.

E kam njohur personalisht si shok klase, një djalë me humor të hollë, që dinte të sillte buzëqeshje edhe në kushtet më të vështira, qoftë në udhëtimet e lodhshme me furgonat tejet të amortizuar të Kamzës në ato vite, ku ne si sardele uleshim ngjitur me njëri tjetrin, apo shakatë në auditoret e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare në Kamëz. Shpesh e ngacmoja duke i thënë: “Ne që zgjodhëm Veterinarinë e kishim Kamzën si mundësinë e vetme, por ti le Gjermaninë dhe Austrinë për të ardhur këtu.”

Ai përpiqej të më bindte mua, një 19-vjeçar atëherë, se edhe po të niste gjithçka nga e para, do të bënte të njëjtën zgjedhje. Fliste me një qetësi dhe bindje të thellë për vlerën e vendit tënd, për ndjenjën e të jetuarit në tokën tënde, ku nuk je i detyruar të flasësh një gjuhë tjetër apo të ndihesh i huaj në vendin tënd.

Të kërkoj falje Bujar, vetëm pas shumë vitesh arrita ta kuptoj plotësisht atë që përpiqeshe të më thoje atëhere.

Ndjehem krenar dhe me fat që të kam njohur. Është nder për mua të them se ke qenë dhe mbetesh miku im i përhershëm. Më ka mbetur një peng: ne bënim shakatë tona se kush kishte rakinë më të mirë; Gjakova apo Pogradeci. Kishim lënë që në ditën e diplomimit të sillnim nga një shishe dhe të “provonim” se cila ishte më e fortë. Fatkeqësisht, ajo ditë nuk erdhi ashtu siç e kishim ëndërruar.

Do të na mungosh gjithmonë, o Bujar Syla. Kujtimi yt mbetet i paharruar!

Bujar Syla nisi studimet në Prishtinë dhe i vazhdoi në Tiranë, ku u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Kamëz. Edhe pse ishte pranuar në universitete prestigjioze në Vjenë dhe Berlin, ai vendosi t’i refuzojë për t’iu përkushtuar çështjes kombëtare.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, ai zhvilloi takime me veprimtarë të shquar nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Kontributi i tij në logjistikën e UÇK-së ishte i rëndësishëm duke ndihmuar në transportin e armatimit dhe trajtimin e të plagosurve. Ai mbante kontakte të vazhdueshme me vëllezërit e tij, Blerimin dhe Lulzimin, ky i fundit pjesë aktive e UÇK-së që në ditët e para.

Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, Bujar Syla dhe shokët e tij vendosën të depërtojnë drejt Kosovës. Fjalët e tij në një nga mbledhjet e fundit mbeten dëshmi e vendosmërisë së tij:
“Doktorët po vriten në Gjakovë dhe ne duhet të hyjmë atje.”

Ky ishte motivi i tij mbrojtja e popullit dhe e intelektit shqiptar nga represioni. Bujar Syla, së bashku me 13 shokë, ranë dëshmorë në Shishman të Bokës.

Fakulteti i Mjekësisë Veterinare në Tiranë e nderoi atë me Diplomë të Artë (pas vdekjes).

Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit dhe studentit të përjetshëm, Bujar Esat Syla, dhe të gjithë shokëve të tij.

Përgatiti për revistën “Mjekësia Veterinare Shqiptare”
Dr. Atalvin Zhiva