Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Figura të Shquara të Mjekësisë Veterinare Shqiptare » Historia e Shërbimit Veterinar Shqiptar 1912-1944

Historia e Shërbimit Veterinar Shqiptar 1912-1944

Nga Dr Ymer Elezi

SHËRBIMI VETERINAR, HISTORI SUKSESI E KORIFEJVE TË SHKENCËS VETERINARE SHQIPTARE

“Historia e Shërbimit Veterinar Shqiptar” është botim i mbeshtetur në dokumente të Arkivit të Shtetit dhe pasqyron periudhën 1912-1944.
Edhe pse po kalon afro një shekull nga data e themelimit të këtij shërbimi më 1 mars 1928, në altarin e nderit të historisë së kombit, pjesë e së cilës është dhe historia e shërbimi veterinar, janë gdhendur edhe emrat e korifenjve të veterinarisë shqiptare, që me kryeideatorin, atdhetarin dhe shkencëtarin brilant e dijelartë dr. Bilal Golemi, ndriçuan me kulturë dhe dije mendjet e shqiptarëve dhe duke u treguar atyre rrugën për zhvillim dhe përparim, ku blegtoria ishte pjesa më e rëndësishme e jetës së tyre, por edhe e zhvillimit të ekonomisë kombëtare në përgjithësi.
Si gjithë kolegët veterinerë, historinë e themelimit dhe veprimtarinë e shërbimit veterinar shqiptar e kemi mësuar nga informacione tepër të mangëta, të deformuara e të copëtuara, por kurrë nuk morëm dije të plota, të sakta e të detajuara mbi punën reale dhe vlerave të vërteta të aktivitetit të madh, të gjerë dhe shumëdimensionale të dr. Bilal Golemit dhe të ekipit të tij.
Ky aktivitet shfaqet në qindra raporte, relacione, statistika, ligje, rregullore, shkresa, telegrame, udhëzime, plane pune, studime, projekte e korrespodenca të gjithfarshme dhe mjaft të detajuar, ne të cilat gjenden të trajtuara probleme nga më të ndryshmet, të ditës e perspektivës të zhvillimit të blegtorisë dhe të shërbimit veterinar, duke i bërë “autopsinë” kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë kombëtare.
Aty njihesh edhe disa gjëra në dukje të vogla e të veçanta, por mjaft mbresëlënëse, si shkresa, letra dhe porosi të shkruara me shkrim dore të dr. Golemi dhe të kolegëve të tij, që zënë një pjesë të rëndësishme të aktivitetit zyrtar, kjo për shkak të mungesës të mjeteve të nevojshme të punës, por dhe si shprehje e operativitet në përmbushjen e detyrave të ndryshme zyrtare në blegtori apo dokumente të tjera të shumta të komunikimit të pandërprerë me veterinerët zyrtarë e privatë të prefekturave, bashkive, komunave dhe blegtorë e bujqër, të cilat mbeten pjesë e suksesit të gjithë ekipit të tij.
Befasues është fakti se kur lexon dokumentet e hartuara dhe shkrimet e dr. Bilal Golemit dhe të kolegëve të tij dhe kujton si shkruhej dhe flitej shqipja e atyre viteve, si dhe të mundësive të kufizuara të përdorimit të gjuhës shqipe, që ai pati gjatë jetës, kur dr. Golemi ishte larguar nga vendi në moshën 7-vjeҫare dhe arsimin fillor dhe gjitha shkollat e tjera i mori në gjuhën turke, dhe më tej në Gjermani dhe Francë përdori gjuhën e këtyre vendeve, e megjithatë ai, përveç përdorimit të disa fjalëve nga turqishtja dhe frëngjishtja, mjaft mbresëlënëse është korrektesa me të cilën ai e ka folur dhe ka shkruar gjuhën e nënës, gjuhën shqipe.
Nē libër jepen e detajuar veprimtaria e Shërbimit Veterinar Shqiptar e klasidikuar kjo në disa periudha: 1912-1927, ku qeveritë e shumta të kohës, të nxitura nga presioni në rritje të blegtorëve dhe bujqve për shkak të rrethanave tepër të vështira dhe të dëmtimeve të mëdha të bagëtive prej pranisë të mjaft sëmundjeve infektive dhe parazitare, bënë disa përpjekje për nxjerrjen e ndonjë ligji, rregulloreje dhe urdhërese, dhe u bënë disa propozime për marrjen masave vaksinuese për disa nga infeksionet më dëmprurëse, jo vetëm për kafshët por dhe për njerëzit si: kundër plasjes, tërbimit, brucelozës, morvës, lisë së dhenve e flamës së dhive.
Periudha 1928-1932 që mbetet guri kilometrik i shërbimit veterinar shqiptar, e lidhur kjo me ardhjen në atdhe më 1 mars 1928 me ftesë të Mbretit Zogu I, i dr. Golemit dhe më pas ngritja e shërbimit veterinar shqiptar, duke baraspeshuar vlerat e shtetit dhe kombit shqiptar me shtetet e kombet e përparuara.
Si një intelektual i talentuar shumëdimensional me cilësi të larta profesionale e shkencore, dhe aftësi të spikatura organizative në ato vite të vështira varfërie të skajshme, si rrallë kush si ai iu përvesh punës dhe në shumë drejtime njëherësh dhe vetëm për 4 vjet e katër muaj, nga 1 marsi 1928 deri më 7 gusht 1932, kur u arrestua, dr. Bilal Golemi me një staf fillimisht prej 13 mjekësh veterinarë dhe në vitin 1932 prej 21 vetash, arriti të zgjidh aq probleme sa sot kjo mund të ekuivalentohet me aktivitetin e një dikasteri me struktura 20 herë më të mëdha.
Ky gjeni dhe kolos i veterinarisë shqiptare, në një kohë rekord, 1928-1929, pa kushte, mjete, ndërlidhje dhe infrastrukturë profesionale pune si dhe burime minimale financiare arriti të njoh gjendjen shëndetësore dhe numerike dhe të planifikojë zgjidhjen e njëhershme të mjaft problemeve komplekse të blegtorisë, jo vetëm ato teknike e profesionale, por organizative, ligjore, financiare, edukimi dhe lobimi, në një vend me prapambetje dhe mendësi provinciale, krahinore e frenuese për zhvillimin e blegtorisë.
Arritjet dhe aktiviteti veterinar gjatë vitit 1928-1932 i dr. Golemit, si Drejtor i Veterinarisë dhe Zooteknisë dhe i Laboratorit Bakteriologjik Veterinar, janë bazë e krijimit të veterinarisë shqiptare të cila përfshijnë: ngritja e Shërbimit Veterinar në 9 Prefektura, hartimi i Planit Kombëtare për Zhvillimin e Blegtorisë, krijimi i institucioneve shkencore zooteknike, krijimi, drejtimi, modernizimi dhe mbështetja e Laboratorit Veterinar për prodhimin e disa vaksinave, produkteve veterinare, vaksinimi i mijëra krerë bagëtive kundër plasjes, këmbëzezës, morvës, lisë së dhenve, tifos dhe kolerës së shpendëve, trajtimi masive kundër gëlbazës dhe zgjebes, tërbimit, gjurmimi TBC dhe morvës.
Mbështetja dhe përgatitja e mjekëve veterinare në shkollat veterinare perëndimore, ngritja e kursit për përgatitjen e infermierëve dhe policëve veterinarë. Mbështetja dhe kontrolli i thertoreve, tregjeve, industrisë së bulmetit dhe peshkut, tregtimit të mishit, bulmetit dhe peshkut, mbarështimi dhe përmirësimi racor i kafshëve, krimbit të mëndafshit dhe bletës, mbështetja falas me produkte veterinare të blegtorëve të vobektë, përgatitja e kursantëve për mbarështim, punim bulmetit, përmirësimin e kullotave, futja e kulturës e koncepteve bashkëkohore zooteknike mbi mbarështimin dhe seleksionimin e kafshëve.
Miratimi më 23 mars 1929 i ligjit: “Mbi shërbimin veterinar”, i hartuar prej dr. Bilal Golemit sipas kushteve të vendit mbetet ndër arritjet më të mëdha sepse vendosi bazat e profilaksisë dhe të shkencës veterinare, krijimit pranë bashkive komunave dhe prefekturave të shërbimit të rregullt veterinar për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve nga 27 sëmundje të listuara.
Ligji përcaktonte kontroll rigoroz shtetëror në dogana për import-eksportin kafshëve, thertoreve, dhe prodhimeve me origjinë shtazore si dhe mjaft probleme të tjera, të cilat edhe sot mbetet një ligj me shumë vlera në vendin tonë.
Gjatë viteve 1933-1940 me ardhjen në krye të Drejtorisë së Veterinarisë, dr. Samimi ҫoi më tej veprën e nisur nga dr. Golemi, ku spikat konsolidimi i strukturave veterinare në Prefektura e Bashki, përmirësimi i menaxhimit dhe rritja e mbështetjes financiare të shërbimit veterinar për zbatimin e programit të seleksionimit në njëthundrakë, gjedh dhe dele, zhvillimi i industrisë së qumështit, peshkimit dhe rritja e prodhimit të vaksinave, aq sa në vitin 1938 u dyfishua vaksinimi kundër plasjes si dhe u zhdukën disa sëmundje si këmbëzeza, lia e dhenve dhe flama e dhive, u ulën zgjebja dhe gëlbaza. U hartuan e përmirësuan disa ligje dhe rregullore zooveterinare për forcimin e kontrollit shëndetësor të kafshëve dhe produkteve shtazore, kurse në vitin 1937 shërbimit veterinar u pranua në Organizatën Botërore të Epizootive(OIE)
Gjatë viteve 1940-1944, kur Drejtor i Veterinarisë ishte dr. Mas’har Dervishi, edhe pse kjo ishte një periudhë e vështirë, për shkak të okupimit të vendit, shërbimi zooveterinar, u konsolidua duke përmirësuar më tej në zbatimin e metodave diagnostikuese, shtimin e mjeteve dhe fondeve për luftimin e sëmundjeve, seleksionimin dhe organizimin e konkurseve në kafshë, zhvillimin e studimeve dhe kërkimit shkencor si dhe në hartimin e ligjeve për kontrollin e mishit, të gjuetisë së peshkut, kafshëve të egra dhe produkteve veterinare, riorganizimi i shërbimit zooteknik shqiptar në një drejtori të veçantë, që solli konsolidimin e tij në zgjidhjen e mjaft problemeve zooteknike, përmirësimin e standardeve të seleksionimit, mbarështimit, ushqimit, vendstrehimeve, forcimin e rregullave të import-eksportit të kafshëve dhe prodhimeve blegtorale.
Libri është i ndarë në 23 pjesë dhe i mbështetur në 1100 faqe dokumente të vjela dhe të printuara nga 1200 dosje që gjenden në Arkivat e Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Punëve Botore dhe Bujqësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Ekonomisë, Gjykatën për Faje Politike, Prefektura, Laboratorin Bakteriologjik Veterinar.
Ky libër nuk pretendon të jetë një botim i mirëfilltë historik, sepse nuk i përmbahet zbatimit të metodologjisë të shkencave historike, por megjithatë ai ruan në brendësinë e tij kronologjinë historike të dokumenteve, sipas problematikave të shërbimit veterinar e zooteknik.
Zgjedhja e kësaj strukture është bërë me vetëdije, pasi prezantimi i dokumentacionit arkivor krijon mundësinë që vetë lexuesi përmes tij të njihet me krijimin e shërbimit veterinar dhe situatën epozotologjike në prefektura, e cila do të mundësonte studiuesve dhe veterinerëve të brezit të ri të njihnin historinë e shfaqjes dhe zhvillimit të disa sëmundjeve në vendin tone, që edhe pse të vjetra, për shkak të rritjes së faktorëve të riskut, kanë propabilitetin të riciklohen edhe si sëmundje të reja.
Ndërkohë gjykojme se kjo strukturë krijon mundësi për një vetëvlerësim të punës, nivelit shkencor e profesional të gjeneratës së mjekëve veterinarë, duke mos u kufizuar vetëm në gjykimin e autorit.
Ne botim jane vene disa prej ligjeve dhe rregulloreve më kryesore, për të provuar se pavarësisht nivelit të zhvillimit të shtetit shqiptar të atëhershëm, shërbimi veterinar shqiptar që nga themelimi i tij e ka ushtruar veprimtarinë e tij mbi një legjislacion mjaft të kompletuar dhe të hartuar bazuar në diskutime me veterinerët e blegtorët vendas si dhe me ekspertizën dhe përvojën perëndimore, por edhe për mbylljen e rrugës së spekulimeve lidhur me datat, legjislacionin, metodat e punës dhe aktivitetin profesional të veterinerëve.
Në botim e ndiejmë se nuk është thënë gjithçka, por si një prezantim modest i historisë së shërbimit veterinar shqiptar ai gjithnjë do të mbetet një kapitull i hapur për studiuesit dhe që meriton të njihet e vlerësohet nga brezat e sotshëm e të ardhshëm të mjekëve veterinarë.

Dr Ymer Elezi
(Autori)