Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për veterinerët » Fizioterapia Veterinare » Fiziologjia Ushtrimore

Fiziologjia Ushtrimore

Nga Dr Emilian Shabani
Pedagog pranë Fakultetit të Veterinarisë UB Tiranë

Principet e fiziologjisë ushtrimore – Energjia e prodhuar për veprimtari ushtrimore

Trajnuesit kanë qëllim të maksimizojnë kapacitetin ushtrimor të kafshëve. Në terma më të thjeshta kjo shpejgohet me maksimizimin e aftësisë energjitike për kontraksionin muskular në formën e adenozin trifosfatit (ATP). Për ATP ka depozita të limituara brënda muskujve për kontraksionin muskular. Kjo do të thotë se energjia prodhohet gjatë aktivitetit ushtrimor në formë aerobike ose anaerobike varësisht nga përqasja e oksigjenit dhe nga substrati.

Prodhimi aerobik i energjisë

Prodhimi aerob i ATP ndodh nga një seri reaksionesh në mitokondri që quhet ndryshe fosforilimi oksidativ për shkak të nevojës për oksigjen. Ky proces është hapi i fundit i fosforilimit të adenozin difosfatit (ADT) për të prodhuar ATP. Prodhimi i energjisë aerobike mund të ndodhë gjatë përdorimit të glikogjenit të depozituar në muskuj ose të glukozës nga gjaku si një substrat energjitik. Kjo përfshin glikogjenin ose glukozën në procesin e glikolizës për të siguruar piruvatin në citoplazmën qelizore. Piruvati transportohet në mitokondri dhe konvertohet në acetil koenzimë A dhe më pas nga mitokondria hyn si e tillë në ciklin e acidit trikarboksilik (cikli i Krebsit). Rezultati neto i ciklit të Krebsit është prodhimi i ATP dhe i koenzimave nikotinamid adeninë dinukleotid (NADH) dhe i flavin adeninë dinukleotid (FADH2) i cili hyn në zinxhirin e transportit të elektroneve dhe prodhon ATP. Metabolizmi aerobik komplet i një njësie glukozë (duke u futur si glukozë 1-fosfat) nga glikogjeni 39 molekula ATP dhe 3 nga glikoliza. 2 formohen nga cikli i Krebsit dhe 34 nga zinxhiri i transportit të lektroneve. Nëse përdoret glukoza nga qarkullimi i gjakut ajo duhet së pari të konvertohet në glukozë 6-fosfat e cila kërkohet për nnjë molekulë ATP, ku rezultati neto i energjisë është vetëm 38 molekula ATP. Acidet yndyrorë përdoren gjithashtu si substrat për fosforilimin oksidativ nëpërmjet procesit të beta-oksidimit i cili prodhon acetik koenzimë A. Acetil koenzimë A hyn në ciklin e Krebsit dhe prodhon NADH dhe FADH2 që hyjnë në zinxhirin e transportit të elektroneve si substrate karbohidratike. Për shkak se acidet yndyrorë përbëhen nga shumë atome karboni dhe vetëm dy kërkohen për të prodhuar acetil koenzimën A, niveli energjitik nga acidet yndyrorë është tepër i lartë. Psh, zbërthimi total aerobik i acidit palmitik (acid yndyror me 16 atome karboni) jep 129 molekula ATP-je.

Prodhimi anaerobik i energjisë

Prodhimi anaerobik i energjisë lidhet me metabolizmin e glikogjenit të depozituar në muskuj ose glukozës nëpërmjet glikolizës me rezultat prodhimin e piruvatit, por në këtë rast piruvati mbetet në citoplazëm dhe konvertohet në laktat. Sasia e ATP së prodhuar nëpërmjet glikolizës anaerobe është shumë më e pakët se sa glikoliza aerobe dhe fosforilimi oksidativ. Nëse glikogjeni përbën substratin e vetëm, formohen tre molekula ATP për njësi glukoze të prodhuar. Kur vetëm glukoza në qarkullimin e gjakut përbën substratin e vetëm, prodhohen vetëm dy molekula ATP.

Burimet energjitike gjatë aktivitetit fizik ushtrimor

Kafshët e shëndetshme gjatë aktivitetit fizik ushtrimor përdorin si burim energjie karbohidratet dhe yndyrnat. Glikogjeni në pjesën më të madhe depozitohen në muskuj dhe mëlçi ndërsa glukoza është e pranishme në gjak. Yndyrnat depozitohen në organizëm si trigliceride por mund të zbërthehen në acide yndyrorë të lirë, të dalin në qarkullimin e gjakut dhe të përdoren nga muskujt që kryejnë aktivitet fizik ushtrimor. Muskujt kanë gjithashtu depo trigliceridesh të cilat zbërthehen brënda muskulit dhe konvertohen në acide yndyrorë të lirë. Në kuaj dhe lopë, acidet yndyrorë volatilë prodhohen si rezultat i proceseve digjestive dhe mund të përdoren direkt nëpërmjet beta-oksidimit. Me fillimin e aktivitettit fizik, ku shpërndarja e oksigjenit mund të jetë e limituar sidomos kur aktiviteti fizik është intensiv, dhe kur kërkesat për ATP e tejkalojnë nivelin e ATP-së së prodhuar në rrugë aerobike, substratet që përdoren janë ata anaerobik. Prodhimi anaerobik i energjisë është i shpejtë dhe nuk kërkon shpërndarje të oskigjenit në muskuj, por niveli i ATP-së së prodhuar është shumë herë më i ulët krahasimisht me rrugën aerobe të prodhimit të energjisë. Nga aktivizimi i rrugës anaerobike të prodhimit të energjisë ka prodhim të shtuar laktati me pasojë uljen e pH në muskuj. Gjatë uljes së intensitetit të aktivitetit fizik ushtrimor fillon të predominojë metabolizmi aerobik dhe në këto momente ka përdorim të miksuar të karbohidrateve dhe acideve yndyrorë. Kuajt, lopët dhe qentë kanë aftësi për të përdorur acidet yndyrore për prodhim energjie. Me e spikatur kjo dukuri është tek kuajt dhe te qentë, pasi lopët janë kafshë që kryesosht bëjnë jetë stacionare. Aktiviteti i shtuar fizik në lopë lidhet me daljen e tyre në zonën e mocionit jashtë stallës. Në këtë mjedis lopët bëjnë afrësisht një kilometër në ecje. Në shumicën e specieve aftësia e madhe për të shfrytëzuar burimet energjitike aerobike gjatë intensitetit të lartë të aktivitetit fizik ushtrimor, i bën këto kafshë të paraqesin performancën maksimale. Kjo lidhet me faktin se rruga aerobike energjitike siguron më shumë molekula ATP në krahasim me rrugën energjitike anaerobike. Fizioterapisti duhet të ketë në kosideratë disa momente kryesore në lidhje me prodhimin e energjisë gjatë aktivitetit fizik ushtrimor:

  • Në çdo moment të aktivitetit fizik ushtrimor ka kontribut të njëkohshëm të prodhimit të energjisë në rrugë aerobike dhe anaerobike.

  • Copëzimi i energjisë në specie të ndryshme varion shumë nga lloji i kafshës dhe nga puna aerobike apo anaerobike që ajo kryen.

  • Intensiteti i aktivitetit fizaik përdoret për të përshkruar shumë aspekte për përdorimin e substratit energjitik për programet trajnuese specifike. Intensiteti ushtrimor zakonisht shprehet si proporcion i shkallës metabolike maksimale aerobike (Vo2 max).

Copëzimi i energjisë

Kontributet relative të burimeve energjitike aerobike dhe anaerobike gjatë aktivitetit fizik janë indikatorë të rëndësishëm për tipin e aktivitetit të kryer nga kafsha. Për eventet atletike aerobike, duhet që orvajtjet e shumta në programet e trajnimit të bëhen për maksimizimin e rrugëve aerobike. Për eventet atletike që nga natyra janë anaerobike duhet që përpjekja të fokusohet në rritjen e forcës muskulare dhe në rritjen e shpejtësisë së lëvizjes. Midis specieve të kafshëve ka ndryshime shumë të mëdha në proporcionalizimin e shpërdarjes energjitike aerobe dhe anaerobe gjatë aktivitetit fizik ushtrimor. Në njerëz, intensiteti i lartë i aktivitetit fizik si psh: 60 sekonda sprint i lodhshëm përbën aktivitet predominues anaerobik. E njëjta ekuivalencë fizike në kuaj përbën aktivitet predominues aerobik. Ky shembull tregon se kuajt kanë shpërndarje më efikase të energjisë aerobike, sidomos për intensitetitn e lartë fizik për kohë të shkurtër. Kuajt e rracës për 60 sekonda bëjnë 1000 metra. Ky sprint në kuaj nuk përbën aktivitet ushtrimor me predominim anaerobik. Kjo aftësi varion midis racave të kuajve. Ka kuaj që në garat 400 metra kanë 60% të shpërdarjes energjitike në rrugë anaerobe. Kuajt e racës Arabe kanë shpërndarjen më të mirë të burimeve energjitike gjatë aktivitetit fizik. 96% e shpërdarjes energjitike është aerobike. Copëzimi i energjisë nuk është përshkruan ende i detajuar në qen dhe në lopë. Problemi i vetëm fizioterapeutik që paraqesin lopët është trajtimi i pacientëve me sindromin e lopës së shtrirë. Qentë dhe ujqërit kanë mbartur evolucionin e gjuetisë për distanca të largëta ndaj cilësohen pozitiv në shpërndarjen e burimeve energjitike aerobike. Macet nuk janë në këtë linjë. Ato janë të shpejta dhe efikase për veprime në distanca të shkurtëra. Në të tilla veprime raporti është pozitiv në shpërndarjen aerobike të energjisë.

Tabela: Copëzimi i energjisë për ekuivalent intensitet dhe koha e aktivitetit fizik në njerëz dhe kuaj

Koha e aktivitettit fizik

Njerëz

Kuaj

60 sekonda

30% aerobik

70% aerobik

2 minuta

60% aerobik

80% aerobik

Oksigjeni

Shpërndarja e oksigjenit në muskujt që kryejnë aktivitet fizik është një proces vital për performancën dhe aftësinë e çdo kafshe. Rruga e shpërdarjes së oksigjenit është fondamentale në të kuptuarit e fiziologjisë ushtrimore dhe është kyç për prodhimin e energjisë aerobe. Limitimet në shpërndarjen e oksigjenit në çdo rajon limitojnë seriozisht performancën e çdo lloji kafshe. Çelësi i matjes së kontributit aerobik në energjinë e prodhuar gjatë aktivitetit fizik ushtrimor është sasia e oksigjenit të marrë. Kjo mund të përdoret duke përcaktuar intensitetin relativ ushtrimor. Kjo matje realizohet duke matur përqëndrimin e oksigjenit dhe dioksidit të karbonit në gazet respiratore të ekspiruara.

Skema: Zinxhiri i transportit të oskigjenit

Niveli 1–oksigjeni në ajër

Niveli 2–Transporti i oksigjenit nga rrugët respiratore në bronkiola

Niveli 3–Alveola difuzioni i oksigjenit përmes kapilarëve alveolarë

Niveli 4-Oksigjeni lidhen me hemoglobinën në eritrocite

Niveli 5-Shpërndarja e oskigjenit nëpërmjet gjakut

Niveli 6-Perfuzioni i oksigjenit në inde – përdorimi nga mitokondria në muskul (fosforilimi oksidativ)

Figura: Matja e gazeve respiratore në një kalë që kryen aktivitet fizik

Image result for veterinary respiratory gas in a horseSa më e vogël të jetë sasia e oksigjenit të ekspiruar aq më e madhe është sasia e tij që shpenzohet për rrugë metabolike energjitike dhe anasjelltas. Në këtë test nuk duhen përfshirë pacientë kardiak dhe respiratorë. Kafshët me kinetikë oksigjenike të shpejtë kanë avantazhe sepse sa më shpejtë të rritet energjie aerobike e prodhimit aq më pak laktat akumulohet nga energjia anaerobike e prodhuar në fillim të aktivitetit fizik. Kuajt kanë kinetikë të shpejtë oksigjenike ndërsa njerëzit shumë të ulët. VO2 max në kuaj mund të arrihet për 20 sekonda ndërsa në njerëz në të njëjtat kondicione duhen dy minuta. Kinatika oksigjenike rritet kur përpara aktivitetit të fortë fizik bëhet “nxemje”. Gjatë nxemjes ndodhin adaptime fiziologjike në sistemin kardiovaskular dhe atë respirator të cilat sigurojnë shpërndarjen adeguate të oksigjenit në muskujt që punojnë. Shpërndarja e gjakut është shumë herë më e lartë në muskujt që kryejnë aktivitet fizik se sa në organe të tjera, psh në ato të aparatit tretës. Në futbollistët që vrapojnë shumë shpesh shihen fenomene të mosrealizimit të detyrave shumë të lehta, psh: nuk bën gol me portën e boshatisur. Ky fenomen i humbjes momentale të vigjilencës shpjegohet pikërisht me pakësimin e fluksit të gjakut në tru sepse shumica e gjakut qarkullues shkon në muskujt që kryejnë aktivitet fizik. Rritja e shpërndarjes së oksigjenit në muskuj rrit aftësinë e tyre për të punuar në mënyrë aerobike dhe redukton laktatin i cili kur akumulohet me tepri jep ndjesinë e lodhjes. Gjatë nxemjes temperatura e muskujve rritet me 1 gradë Celsius. Nga rritja e temperaturës ka përfitime sepse muskujt kontraktohen më mirë e më fuqishëm, fibrat muskulare bëhen më të “bindura” duke shmangur riskut e dëmtimeve muskulare nga tërheqja. Nga këto njohuri mjeku fizioterapist duhet të rekomandojë gjithmonë nxemjen në kafshët që kryejnë aktivitete të rënda fizike. Informacioni që kafsha lëngon se ka kryer aktivitet fizik të menjëhershëm duhet të tërheqi vëmendjen e mjekut për atë çfarë ka ndodhur. Trajtimi i problemeve të tilla muskulare do të trajtohet në kapitullin përkatës.

Funksioni kardiorespirator gjatë aktivitetit fizik ushtrimor

Organizmi i kafshëve ka adaptuar mekanizma për rritjen e shkëmbimit dhe transportit të gazrave me frymëmarrjen gjatë aktivitetit fizik. Këto mekanizma janë në shërbim të maksimizimit të shpërndarjes së oksigjenit për prodhim energjie gjatë aktivitetit fizik. Gjatë aktivitetit fizik ndodhin këto dukuri:

  • Dilatimi i vrimave të hundës dhe në disa specie frymëmarrja me gojë për të reduktuar rezistencën e rrugëve të sipërme të traktit respirator

  • Rritet ventilimi i mushkërisë (në kuaj nga 80 litra në minutë në gjëndje qetësie në 1800 litra në minutë)

  • Rritet denduria e frymëmarrjes

  • Rritet perfuzioni i alveolave për shkak të rritjes së aktivitetit kardiak dhe dilatimit të enëve pulmonare të gjakut

  • Ulet koha tranzitore e qarkullimit të gjakut në kapilarët pulmoanrë. Gjaku qarkullon me shpejtësi në alveola

  • Rritet difuzioni i oksigjenit dhe i dioksidit të karbonit nga alveolat në kapilarë për shkak të rritjes së gradientit dhe qarkullimit të gjakut

  • Rritet përqëndrimi i hemoglobinës (në kuaj) për shkak të përqëndrimit splenik – rritet kapaciteti lidhës për oksigjenin (rezerva splenike), rritet PCV mbi 60% dhe numri i eritrociteve (1/3 e sasisë totale)

  • Rritet qarkullimi i gjakut në muskujt për shkak të rritjes së denurisë efikase kardiake

  • Rritet perfuzioni periferik sidomos në kapilarët muskularë

  • Rritet difuzioni i oksigjenit dhe i dioksidit të karbonit nga kapilarët në muskujt që kryejnë aktivitet fizik për shkak të rritjes së gradientit dhe qarkullimit të gjakut

Denduria kardiake është një indikator i mirë për matjen e sasisë së oksigjenit të shfrytëzuar nga kafsha sepse këto dy tregues janë saktësisht në proporcion me njëri-tjetrin. Sa më e lartë të jetë denuria kardiake aq më shumë në “stres” është kafsha. Stresi mund të vijë nga eksitimi, frika apo pamjaftueshmëria kardiake. Kur flitet për pamjaftueshmëri kardiake, denduria e zemrës nuk është efikase. Matja e nivelit të oskigjenit të shfrytëzuar mer në konsideratë dendurinë efikase. Denduria efikase kardiake është puna e zemrës në një ritëm të caktuar, varësisht nga aktiviteti që kryen kafsha, kur zemra për çdo sistol dhe diastol ka lëvizje efikase të gjakut si në qëndër ashtu dhe në përiferi. Pra denduria efikase kardiake i përjashton sëmundjet e sistemit kardiovaskular.

Efektet e trajnimit

Trajnimi apo stërvitja përmirëson rrugën e shpërndrajes dhe shfrytëzimit të oksigjenit si dhe shkallën metabolike aerobike. Në këtë mënyrë, trajnimi mer rëndësi të dorës së parë sepse efektet pozitive nuk limitohen vetëm në sistemin kardiovaskular dhe atë respirator por dhe në prodhimin aerobik të energjisë, në përmirësimin e kapacitetit buferik në muskuj, në sasinë dhe efikasitetitn e glikogjenit në muskuj. Përveç përmirësimit të prodhimit të energjisë gjatë aktivitetit fizik, trajnimi rrit masën muskulare, fuqinë muskulare, si dhe përshtatjen e kockave, kartilagjeve, tendinave, ligamenteve dhe indeve të tjerë lidhës me aktivitetin e shtuar fizik.

Përgjigjia kardiorespiratore ndaj trajnimit

Në kuajt e pastërvitur është vënë re rritja e VO2 maksimal në nivelin 30% pas 28 javësh trajnimi. Një nivel i tëllë rritjeje është vënë re edhe në njerëz. Efektet kryesore të trajtnimit janë:

  • VO2 maksimal rritet pas 28 javësh trajnimi dhe ka prirje të rritet më shumë në trajtnimin pasues

  • Nga niveli i total i rritjes, gjysma e vlerës arrihet në 7 javët e para. Në këtë peridhë ndodh rritja është e shpejtë

  • Puna e zemrës është efikase

  • Adaptohet sistemi muskuloskeletor

  • Shërimi i strukturave të dëmtuara është më i shpejtë (kujdes rastet që duan pushim absolut)

  • Rritet madhësia e zemrës

  • Rritet volumi i plazmës

  • Rritet volumi i Hb dhe i eritrociteve

  • Rritet densiteti kapilar në muskujt që trajnohen

Adaptimi i sistemit muskuloskeletor ndaj trajnimit (stërvitjes)

Vërehet një përgjigjie sinjifikative adaptive ndaj stërvitjes e sistemit muskuloskeletor në të gjitha llojet e kafshëve që trajnohen. Në ndryshim nga përgjigjia kardiorespiratore, ndryshimet dhe adaptimet e sistemit muskuloskeletor ndodhin ngadalë dhe rikthehen në gjëndjen fillestare ngadalë. Studimet në kuaj kanë treguar se procesi i përshtatjes kërkon 16 javë. Ndryshimet adaptive nuk rikthehen në gjëndjen fisllestare edhe në kali qëndron 12 javë pa trajnim. Përgjigjia më madhore përshtatëse në muskujt e kuajve lidhet me përmirësimin e shpërndarjes së energjisë aerobike dhe në efikasitetin e shfrytëzimit të oksigjenit në momentet e intensitetit të lartë të aktivitetit fizik. Ndryshimet adaptive klasike lidhen me:

  • Rritjen e kapilarëve në mm2

  • Ulja e indeksit difuzional (zonë për kapilarë)

  • Nuk ka ndryshime sinjifikative në tipin e fibrave gjatë trajnimit por ka ndryshim të raporteve të elementëve përbërës

  • Rritet volumi i mitokondrisë

  • Rritet aktiviteti enzimatik i lidhur me metabolizmit aerobik muskular (cikli i krebsit-citrat sintetaza, betaoksidimi i acideve yndyrorë-hidroksiacetildehidrogjenaza, por nuk ka rritje të aktivitetit të enzimave muskulare që lidhen me glikolizën anaerobike –laktat dehidrogjenaza

  • Rritet kapaciteti buferik muskular

  • Rritet përqëndrimi i glikogjenit në muskuj

Përqëndrimi i glikogjenit në muskuj

Kuajt kanë nivel të lartë të depozitimit të glikogjenit në muskuj krahasuar me njerëzit. Në aktivitetin ushtrimor me intensitet të lartë në një kohë të shkurtër, glikogjeni në muskuj nuk shfrytëzohet. Kur aktiviteti intensiv fizik vazhdon për një kohë të gjatë, glikogjeni fillon të shfrytëzohet. Me rëndësi madhore në kuaj është shkalla e ngadaltë e rivendosjes së glikogjenit në muskuj. Pas shfrytëzimit fillestar të glikogjenit nevojiten rreth 48 orë për rivendosjen dhe plotësimin e depos muskulare me glikogjen. Shkalla e plotësimit të rezervave të glikogjenit në muskuj nuk është e lidhur me të ushqyerit e kafshës pas stërvitjes apo trajnimit. Ky proces mund të ndihmohet dhe nxitet nga injektimi intravenoz i glukozës. Përpjekja për nxitimin e rivendosjes së glikogjenit është tepër e rrezikshme sepse në kuaj zhvillohet laminiti. Ky është një shembull klasik që tregon se aplikimi i metodave humane në kafshë shepsh është i dëmshëm.

Gjëndja e pastërvitur (detrajnimi)

Shkalla e humbjes së performancës varet nga koha dhe nga niveli i stimujve trajnues. Në studimet në kuaj u pa se proceset e gjata trajnuese rezultojnë në mbajtje pozitive për një kohë të gjatë të efikasitetit kardiorespirator dhe atij muskuloskeletor. VO2 maksimal ulet ngadale pa ndryshime për 6-12 javë por afërsisht 15% më lart se sa vlerat përpara trajnimit. Indikatorët e funksionit kardiak nuk ndryshojnë për 4 javë dhe nuk rikthehen në normë gjatë 12 javëve të gjëndjes së detrajnimit. Faktor tjetër që ndikon në përgjigjiet e gjëndjes së detrajnimit është sasia e ushtrimeve që kryhen gjatë kësaj periudhe. Kjo lidhet me pushimin e sforcuar për shkak të dëmtimeve. Një sasi e vogël e aktivitetit fizik ditor është efektive në mbajtjen e performancës pozitive të sistemit kardiorespirator dhe atij muskuloskeletor. Në njerëzit apo kafshët që bëjnë pushime strikte, gjatë dhe pas periudhës së detrajnimit vërehen humbje dramatike të performancës kardiovaskulare, të densitetit të kockës, të muskujve dhe të integritetit të ligamenteve. Është shumë e rëndësishme të konsiderohet shkalla e humbjes së performancës përpara fillimit të procesit trajnues. Kjo do të thotë se nëse një kafshë ka pushuar në mënyrë strikte për 6 javë ajo nuk mund të fillojë trajnimin me kapacitetin maksimal të planit stërvitor.

FIZIOLOGJIA E APLIKUAR USHTRIMORE

Projektimi i programeve trajnuese

Fizioterapisti duhet të projektojë programe trajnimi në mënyrë që të përmirësojë funksionin miskuloskeletor dhe neurologjik gjatë trajtimit dhe reabilitimit. Mjeku fizioterapist duhet të hartojë programe trajnimi edhe për kafshët që janë të shëndetshme dhe aktive. Në projektimin e programeve të trajnimit është shumë e rëndësishme marrja në konsideratë e principeve të fiziologjisë ushtrimore. Qëllimi madhor është përmirësimi i zinxhirit të transportit të oksigjenit nëpërmjet stërvitjes aerobike të vazhdueshme. Për të përcaktuar intensitetin e stimujve të trajnimit, fizioterapisti duhet të vlerësojë dhe të masë dendurinë kardiake dhe laktatin gjatë procesit të aktivitetit fizik ushtrimor. Në kuaj, përgjigjia më e madhe përshtatëse ndaj trajnimit është aerobike pavarësisht intensitetit të stërvitjes.

Denduria kardiake në programet e trajnimit

Denduria kardiake përdoret si tregues për të vlerësuar VO2 dhe intensitetin e aktivitetit fizik të kryer. Denduria maksimale kardiake në kafshët që kryejnë aktivitet fizik, tregon nivelin e lartë ushtrimor dhe shfrytëzimin në nivele të kënaqshme të oksigjenit nga organizmi. Denduria kardiake është në raport të drejtë me VO2. Përdorimi i dendurisë kardiake në trajnim pa shënuar dendurinë maksimale kardiake prodhon intensitete relative shumë të ndryshme trajnimi. Për shembull, në një grup kuajsh race me moshë mesatare 4 vjeç, denduria maksimale kardiake varion nga 215-260 rrahje në minutë. Intensiteti relativ ushtrimor varion në këto individë nga 74% në 62% të dendurisë kardiake maksimale. Intensiteti i trajnimit bazuar në dendurinë kardiake duhet të individualizohet për çdo kafshë. Denduria kardiake trajnuese është parë në njerëz në trajnimin e hershëm ku denduria kardiake në 70% ka shkallën 50% të VO2 max (në kuaj 154 rrahje në minutë me denduri kardiake maksimale 220 rrahje në minutë), intensitet mesatar ose i moderuar i trajnimit 80% me 70% të VO2 max ( në kuaj 176 rrahje në minutë me denduri kardiake maksimale 220), intensitet i lartë trajnimi 90-100% denduria max kardiake me 80-100% të VO2 (>198 rrahje).

Laktati

Prodhimi i laktatit është një përgjigjie normale në energjinë e prodhuar por rritja e përqëndrimit të laktatit ka efekte negative në kontraktimin muskular dhe në prodhimin e mëtejshëm të energjisë në kuaj. Laktati konsiderohet si faktor potencial limitues i aktivitetit ushtrimor me intensitet të lartë (garave). Kuajt kanë një aftësi të pamatë për të gjeneruar laktatin. Pas garës një situatë e gjithmonëgjetshme është rritja e nivelit të përqëndrimeve të laktatit në plazëm ose në gjak mbi 25-30 mmol/l ( në gjëndje pushimi ky përqëndrim është në vlerat 0.5-1.0 mmo/l. Përqëndrimi i laktatit rrittet kur shpetësia lëvizëse e kafshës është më e madhe se 7-9 metra/sekond. Shpejtësia e rritjes së përqëndrimit të laktatit varet nga madhësia e hapit, nga raca, nga dieta dhe nga niveli i trajnimit. Pragu i laktatit mund të përdoret si vlerësues në programet e trajnimit me shpejtësi të lartë si një tregues indirekt për aftësinë e transportit dhe shfrytëzimit të oksigjenit. Në fakt, përcaktimi i kurbës së laktatit në kuaj është praktikisht i vështirë në kushtet e trajnimit por matja mund të bëhet indirekt. Kur shpejtësia lëvizëse e kafshës është 10 metër/sekond niveli i laktatit është 4 mmol/l. Përqëndrimi i laktatit i korrespondon 80% të VO2 max. Intensiteti i moderuar trajnues maksimizon kapacitetin aerobik. Kuajt me VO2 max 80% janë në vrapim 13 metra për sekond ose 800 metra/minutë (galop).Programi i trajnimit duhet të përfshijë seanca të stërvitjes me nivel të ulët të aktivitetit fizik, me nivel të moderuar dhe me nivel të lartë. Alternimi i drejtë i seancave rrit kapacitetin dhe performancën fizike në çdo lloj kafshe.

Trajnimi me nivel të lartë

Studimet e fundit për atletët humanë kanë treguar se alternimi i seancave ushtrimore me nivel të lartë dhe të ulët të aktivitetit fizk ka përfitime të gjithëanëshme sidomos në VO2. Ndryshimet fiziologjike më madhore që ndodhin në kuaj lidhen me përgjigjien ndaj hipoksisë hipobarike. Këto ndryshime janë tepër pozitive sidomos për kafshët që jetojnë në lartësinë e nivelit të detit. Ndryshimet klasike përfshijnë:

  • Rritja e volumit të eritrociteve

  • Rritja e volumit të gjakut

  • Përmirësohet kapilariteti muskular

  • Përmirësohet kapaciteti metabolik i muskujve

PERFORMANCA MAKSIMALE DHE FAKTORËT LIMITUES TË PËRFORMANCËS MAKSIMALE NË KUAJ

Performanca në kuaj varet shumë nga niveli i shpërndarjes energjitike (sistemi kardiorespirator i transportit të oksigjenit) dhe nga aftësia për ta shfrytëzuar në mënyrë efikase energjinë në formën e lokomocionit (sistemi muskuloskeletor). Kuajt janë organizma me strukturë shumë efikase, të koordinuar dhe janë përzgjedhur gjithmonë për performancë atletike. Këto kafshë kanë një kapacitet të madh aerobik (>160 ml/kg/min). Atletët humanë e kanë kapacitetit aerobik maksimal (70 ml/kg/min). Niveli i lartë i energjisë aerobike dhe shkalla e lartë e shpërndarjes së oksigjenit gjatë aktivitetit intensiv fizik i ka bërë kuajt atletë superiorë. Pavarësisht këtyre treguesve dhe përshtatjeve fiziologjike, kuajt kanë limitime respiratore për aktivitetin fizik intensiv. Sëmundjet e sistemit respirator shkaktojnë ndër të tjera pengesa serioze në shpërndarjen e oksigjenit me pasojë performancën atletike në ulët. Ky fakt vërehet në zhvillimin hipoksemisë arteriale dhe hiperkapnesë gjatë galopit. Kuajt kanë një presion vaskular shumë të lartë në mushkëri. Për të parandaluar rupturën e kapilarëve pulmonërë në kondicionet fiziologjike ndodhet një barrierë e trashë difuzionale që ka për funksion reduktimin e nivelit të difuzionit. Kjo barrierë përbën shkakun kryesor të hipoksemisë që induktohet nga aktiviteti fizik ushtrimor.

Performanca e dobët në kuaj

Performanca e dobët është situatë që duhet të mbahet gjithmonë në konsideratë nga fizioterapisti. Shumica e rasteve që drejtohen tek fizioterapisti kanë diagnozën veterinare performancë e dobët ushtrimore. Fizioterapisti duhet të vlerësojë në çdo rast natyrën e problemit performativ. Për fizioterapistin është i rëndësishëm informacioni nëse kali nuk ka performuar asnjëherë mirë, nëse ka patur rënie të menjëhershme të performancës apo ka patur rënie menjëherë pas seancave trajnuese. Kër bëhet vlerësimi i performancës së dobët në kuaj duhet mbajtur në konsideratë:

  • Kush ka kontribuar në shfaqjen e performancës së dobët?

  • Nuk duhet harruar se mund të bashkëekzistojnë dy ose më shumë probleme në të njëjtën kohë

  • Në kuajt me performancë maksimale problemet subklinike mund të jenë arsyeja e performancës së dobët

Faktorë potencialë të performancës së dobët janë sëmundjet e sistemit respirator, kardiak, anemia, dëmtimet muskuloskeletore, sëmundjet metabolike, etj. Problemet subklinike janë të mjaftueshme për të ndikuar në mënyrë dramatike nivelin e performacës në çdo lloj kafshe.

Sindromi i mbitrajnimit në kuaj

Mbitrajnimi është një kondicion që lidhet me imbalancën midis trajnimit dhe shërimit. Në këtë rast, stimujt trajnues janë më të mëdha ndërsa ato të shërimit shumë të ulëta. Kur ky fenomen vazhdon për një kohë të gjatë shkakton sindromin e lodhjes që karakterizohet klinikisht me performancë të dobët, humbje të peshës, ndryshime psikologjike, ndryshime të theksuara të sjelljes dhe rritje e predispozicionit për tu prekur nga sëmundje infektive. Sindromi i mbitrajnimit është me natyrë kronike dhe kërkon disa javë apo muaj që të shërohet. Ky sindrom duhet të diferencohet nga mbitrajnimi akut. Ky i fundit kërkon vetëm disa ditë që të shërohet. Objektivi madhor i fizioterapisë në këtë rast është shkurtimi i kohës së shërimit dhe rritja e kapacitetit metabolik muskular. Shenjat kryesore klinike në kuajt me sindromin e mbitrajnimit janë; performanca e dobët, humbja e peshës trupore dhe e oreksit, dhimbje muskulare dhe rritje e nivelit të enzimave muskulare, rritja e predispozicionit për infeksione gastrointestinale dhe urinare, inkoordinim dhe rritje e shkallës së dëmtimit, ndryshim i raportit denduri kardiake/laktat/VO2, nervozizëm, mungesë dëshire për trajnim, ndryshime të theksuara të sjelljes me agresivitet. Trajtimi ideal i mbitrajnimit është pushimi i për një kohë të gjatë, ulja e intensitetit të trajnimit dhe implementimi i varieteteve menaxheriale trajnuese efikase për kafshë me të tillë sindrom. Një program i mirë trajnimi është nxjerrja e kafshëve për ecje të lirë për pak kohë por disa herë në ditë. Kjo shmang atrofinë muskulare dhe mban në “vigjilencë” kapacitetin metabolik muskular.

TRAJNIMI

Baza e procesit të trajnimit në qen është loja. Vrapimet e shkurtëra të shpejta, kërcimet, ulje-ngritjet, ecja e gjatë, etj, janë tepër të dobishme për mbajtjen e tonusit muskular. Për të kryer trajnimin e qenve nevojiten topa të vegjël të cilët qeni gjatë lojës duhet ti kapë, shkopinj, pjata loje për qen, etj. Fizioterapisti duhet të miqësohet me qenin dhe në asnjë rast trajnimi nuk duhet kryer me qenin e lidhur me litar. Procesi i trajnimit kërkon durim dhe profesionalizëm. Nuk rekomandohet keqtrajtimi fizik dhe psikologjik i kafshës sepse rezultatet e trajnimit do të jenë dramatike. Në kuaj trajnimi duhet të jetë një proces që kafsha nuk bezdiset, nuk ka frikë por përkundrazi, postura e trupit dhe sjellja e kafshës duhet të manifestojë kënaqësinë maksimale. Të folurit “ëmbël”, përkëdheljet dhe dhënia e komandave me profesionalizëm përbëjnë kyçin e procesit të trajnimit. Ecja, vrapimi i lehtë, vrapimi i shpejtë, kërcimet, hedhja ritmike dhe e koordinnuar e hapave përbëjnë aktivitetet kryesore në procesin e trajnimit në kuaj.

Fazat e programit trajnues

Një program trajnimi 16 javorë në qen ndahet në 4 faza:

  1. Trajnimi bazik (java 1-4 )

  2. Trajnim i alternuar: i fuqishëm/rezistecë (java 5-8)

  3. Trajnim i fuqishëm me intervale (java 9-14)

  4. Pakësimi i intensitetit trajnues (java 15-16)

Faza bazike e trajnimit

4 javët e para të stërvitjes projektohen për të risjellë kafshën në regjimin e mëparshëm trajnues. Gjatë kësaj periudhe fizioterapisti duhet të krijojë një marëdhënie të ngushtë me kafshën me qëllim që plani dhe procedurat trajnuese të zhvillohen si duhet. Kjo fazë përgatit sistemin muskuloskeletor për etapat e pastajme të trajnimit. Ecja në një distancë prej 10 kilometrash në ditë janë të mjaftueshme për 4 javët e para të procesit trajnues.

Faza e trajnimit të alternuar: i fuqishëm/rezistencë

Qëllimi kryesor i kësaj faze është:

  • Përmirësimi i mëtejshëm i performancës aerobike dhe përgatitja për fazat më intensive të trajnimit

  • Zhvillimi progresiv i sistemit muskuloskeletor për të parandaluar dëmtimin nga stërvitja

  • Zhvillimi i mëtejshëm i regjimit të trajnimit dhe rritja e efikasitetit në metodat trajnuese

  • Krijimi i marëdhënieve të “pandashme” fizioterapist-kafshë. Në këtë mënyrë arrihet suksesi i garantuar në procedurat e trajnimit. Për çdo rast tjetër që kafsha ka nevojë për terapi fizike apo për procedura trajnuese, mjeku e ka shumë të lehtë manovrimin me kafshën sepse ajo tërë këtë procedurë e kujton pozitivisht

    https://i0.wp.com/petstrollerblog.com/wp-content/uploads/2013/11/dog-playing-and-catching-a-frisbee-hd-animal-wallpaper-dogs.jpgImage result for dog playing ball

Procedurat fizike intensive mund të futen gradualisht në mënyrë që të arrihet stimulimi adeguat duke i lejuar dhe kohën që i nevojitet ndryshimit metabolik dhe strukturor të sistemit muskuloskeletor. Kjo etapë stërvitore realizohet duke bërë 5-7 kilometra në ditë me ecje të shpejtë të alternuar me vrapime të lehta. Në asnjë rast nuk duhet të ekzagjerohet. Kur kafsha tregon shennja lodhjeje, ecja e shpejtë dhe vrapimi i lehtë ndërpriten për tu zëvëndësuar me ecjen normale. Kërcimet e lehta por të shpeshta dhe vrapimet në kërkim të kapjes së topit dhe ulje-ngritjet nga toka janë pjesë e protokollit trajnues të kësaj faze. Loja me top duhet të vazhdojë deri në momentin kur gjykohet se kafsha është lodhur. Loja me top apo me sende të tjera duhet të kryhet pas procesit të ecjes së shpejtë dhe vrapimit në mënyrë që të kryhet”nxemja” (shih më sipër).

Faza e trajnimit të fuqishëm me intervale

https://i0.wp.com/www.riversidevetbend.com/wp-content/uploads/2015/09/woman-running-dog.jpgRritja maksimale e rezistencës dhe e performancës përftohet gjatë fazës së tranimit të fuqishëm me intervale. Vrapimi i shpejtë i alternuar me sprintet, ulje-ngritjet e shpejta, kërcimet e fuqishme, vrapimet shumë të shpejta menjëherë pas kërcimit përbëjnë protokollin trajnues të kësaj faze. Në këtë fazë të trajnimit, duhet të arrihet maksimumi i shfrytëzimit të oskigjenit dhe i energjisë aerobike. Gjatë kësaj faze, fizioterapisti duhet të këqyrë me kujdes kafshën për të mos zhvilluar sindromin e mbitrajnimit.

Faza e pakësimit të intensitetit trajnues

Image result for dog runningQëllimi i kësaj faze është reduktimi i stresit fiziologjik dhe atij psikologjik të trajnimit ditor si dhe optimizimi i performancës së kafshës. Qentë duhet të futen në këtë fazë dy javë përpara ndonjë kompeticioni.

Image result for german shepherd police dogStudimet kanë treguar se kafshët e futura në fazën e pakësimit të intensitetit trajnues dy javë përpara kompeticionit (garës), kanë shfaqur performancë maksimale në karahasim me kafshët e futura me vonë apo më herët në këtë fazë. Intensiteti i trajnimit duhet të ulet me 25% në javën e parë dhe 25% në javën e dytë. Kjo fazë është një alternim strik i procedurave fizike të fazës së parë me fazën e dytë.

QËLLIMI I PROJEKTIMIT TË PROGRAMIT TRAJNUES

Përgjigjiet kardiorespiratore

  • Bradikardia e induktuar nga trajnimi dhe ulja e dendurisë kardiake në një shpejtësi të caktuar

  • Rritja e VO2 max në masën 30-40%

  • Rritja e efikasitetit maksimal kardiak në masën 30-35%

  • Hipertrofia kompensatore e zemrës (më shumë se 24% në qentë e racës Huskie)

  • Reduktim i rezistencës vaskulare sistemike në masën 25% gjatë aktivitetit fizik

Përgjigjia muskuloskeletore

  • Rritet zona e fibrës muskulare dhe shpejtësia e veprimit

  • Përdorim më i mirë i energjisë elastike për shkak të ngarkesës trajnuese

  • Rritet fuqia tërësore muskulare

  • Rritet koha e kontraksionit muskular

  • Rritet depozitimi i glikogjenit muskular (15-20%) dhe kapaciteti oksidativ muskular

  • Rritet kapaciteti i njësisë së aktivizimit motorrik dhe përmirësohet modeli i nxitshmërisë neurale

  • Rritet aftësia e tendinave

  • Rritet densiteti i kockave

  • Ulet niveli i dëmtimeve dhe i çalimeve

Autori: Dr Emilian Shabani
Pedagog pranë Fakultetit të Veterinarisë UB Tiranë

Nuk lejohet përdorimi i këtij artikulli pa lejën e redaksisë ose autorit të shkrimit.

Në rast referimi ju lutemi përmendeni burimin e informacionit veterineret.com