Shpesh kemi dëgjuar apo lexuar (në portale të ndryshme) që kur flitet për lopën (gjedhin) dhe systemin tretës ku thuhet se lopa ka 4 stomaqe.
E pra nuk është e saktë! Lopa ka vetëm 1 stomak.
Më e sakta do të jetë të thuhet se lopa ka 1 stomak të ndarë në katër dhoma!
Dhe më saktësisht rumeni, retikuli, omazi dhe abomazi.
Ky sistem tretës i specializuar ju lejon atyre të përfitojnë sa më shumë nga lëndët ushqyese të dietës fibroze me bazë bimore, siç është bari dhe foragjeret.

Për cilindo që dëshiron të mësojë më shumë, vazhdoni të lexoni së po sqarojmë diçka më gjatë rreth proçesit të sistemit tretës tek lopët.
Kur shihni lopët duke kullotur bar, ato thjesht e gëlltisin atë drejt e poshtë pa e përtypur fare. Në këtë fazë, bari shkon në ndarjen e parë të stomakut të tyre, në rumen. Prej andej, do të ripërtypet, përtypet dhe gëlltitet përsëri disa herë, ndërsa mikrobet në rumen do të ndihmojnë gjithashtu në zbërthimin (fermentimin) e ushqimit.
Ndarja apo dhoma tjetër e lopës quhet retikul dhe përdoret për çdo gjë të padëshiruar që lopët mund ta kenë ngrënë pa dashje apo pa e ditur.
Çdo objekt i huaj, dhe i vështirë për tu tretur shkon në retikul, ku zakonisht zbërthehet nga acidet e fuqishme brenda tij.
Omazi është ndarja tjetër e stomakut dhe është vendi ku do të përthithet lagështia dhe ushqimi. Omazi është një pjesë shumë e “zgjuar” e stomakut sepse ka shtresa të ndryshme (pak a shumë si faqet e një libri), që do të thotë se ka një sipërfaqe më të madhe dhe që të mund të thithë sa më shumë nga përzjerja ushqimore e konsumuar nga lopa.
Së fundmi, ushqimi do të arrijë në pjesën e stomakut që ngjan më shumë me stomakun e njeriut.
Quhet abomaz dhe lëshon enzima që mund të tretin proteinat, duke ndihmuar në zbërthimin e çdo gjëje që ka ngelur pa tretur më parë në rumen.
Përgatiti Mjekësia Veterinare Shqiptare