ALFRED KACI
Mjeku Veteriner që të ardhmen e lidh me profesionin dhe fermën e tij.
Përgatiti MV Imer Hysa
Ai është nga ata të rinj që kanë lindur dhe rritur në periudhën e demokracisë, dhe që ëndrrën e tij për një jetë të lumtur dëshiron ta realizojë në vendlindje. Është arsimuar për Mjekësi Veterinare dhe i dashuruar me profesionin, të cilin e ushtron si specialist Mjek Veteriner Shërbimi pranë Drejtorisë Rajonale të AKVMB Shkodër për rrethin e Kurbinit.
Ju lutem Doktor një prezantim të shkurtër për lexuesit.
-Jam Alfred Kaci i lindur në vitin 1988 në fshatin Drojë të njësisë administrative Mamurras të rrethit Kurbin. Arsimin 8-vjeçar e kam marrë në vendlindje, të mesmin në Mamurras dhe studimet e larta i kam kryer në Universitetin Bujqësor të Tiranës në degën Mjekësi Veterinare.
Si të lindi dëshira për të vazhduar këtë fakultet, pasi të rinjtë nuk e preferojnë shumë ?
-Unë origjinoj nga një familje fshatare me tradita të mira për punët në bujqësi dhe blegtori. Krejt familja, por veçanërisht babai, jemi të lidhur me bujqësinë dhe blegtorinë. Historikisht kemi mbajtur gjë të gjallë qofshin këto kafshë stalle, shpendë apo kafshë transporti. Me produktet e tyre ne jemi ushqyer dhe rritur të shëndetshëm. Kishte raste që bagëtitë sëmureshin dhe ne thirnim Mjekun Veteriner. Kur shikoja shërbimin që ai kryente, përmisësimin që ai i bënte shëndetit të kafshës më lindi si dëshirë ta vazhdoj këtë fakultet. Pati nga ata që më thonin çe do, kush merret me gjë të gjallë, të tjerë me thonin është shkollê e vështirë dhe të tjerë akoma ç’të duhet shkolla këtu, ik jashtë sa nuk është vonë. Unë asnjërin prej këtyre se dëgjova, dëgjova vetëm dëshirën time dhe pasi mora pëlqimin e familjes vazhdova këtë degë dhe ja ku jam sot Mjek Veteriner, që sdo e ndërroja me asnjë profesion tjetër.
Diçka rreth punës tuaj doktor.
Pas diplomimit tim në vitin 2015 as që bëhej fjalë të punësoheshe në shtet. Mjekët Veterinerë numëroheshin me gishta, nga një nëpër Drejtoritë e Bujqësisë nëpër rrethe, edhe në pushtetin vendor jo të gjitha bashkitë dhe komunat kishin Mjekë Veterinerë. Të paktë ishin edhe Mjekët Veterinerë në organikat e AKU-së. Shërbimet veterinare te fermerët, ose kryheshin privatisht, ose përmes Mjekëve Veterinerë të punësuar në Klinikat Veterinare, që për një farë periudhe merrnin punë veterinare të kontraktuara nga shteti. Kjo përkoi edhe me periudhën kur unë u diplomova. Për katër vite kam punuar si Mjek Veteriner klinike duke bërë matrikullime, vaksinime etj, punë që i përmbante kontrata.
Në vitin 2020 filloj punë pranë Drejtorisë Rajonale AKVMB Shkodër për rrethin e Kurbinit, punë që me pasion e vazhdoj edhe sot.




Ju treguat se origjinoni nga familje fshatare, vetë keni bagëti në fermën tuaj?
-Unë jam i pasionuar më kafshët, kam filluar me dy krerë gjedh, lopë qumështi si fermë familjare, por duke parë leverdinë që ofronte prodhimi prej tyre si qumështi dhe mishi, vendosa ta zmadhoj fermën. Sot kam 20 krerë lopë qumështi. Perveç nevojës time familjare për prodhimin e produkteve që rrjedhin nga qumështi si djathi, kosi, galpi etj sasinë tjetër e tregëtoj. Kemi fatin e madh që jemi afër kryeqytetit dhe firma të shumta nga andej vijnë dhe grumbullojnë qumështin nga fermat e zonës. Edhe pse çmimi nuk është i kënaqshëm nuk mund të themi se nuk është punë me leverdi. Veç kësaj edhe subvencionet nga shteti për blegtorinë janë një ndihmesë e mirë për fermerët.
Si është gjendja e fermave në zonën ku jetoni dhe ushtronim profesionin tuaj?
-Nuk duhet ta fshehim, numri i fermave që mbarështrojnë blegtori ka rënie dhe për pasojë edhe numri i krerëve. Arsyet janë nga më të ndryshmet, por kryesorja është se brezi i ri nuk merret me blegtori, por duan të emigrojnë ose kërkojnë pasurim të mënjëhershëm, të moshuarit e kanë të vështirë dhe të pamundur. Kjo mua si specialist më tremb dhe më dhëmb.
Ju thatë që keni fermën tuaj, diçka rreth saj.
-Ferma ime në kuptimin e mirë të fjalës është një “fermë eksperimentale” Unë kujdesem për gjendjen shëndetësore, përpilimin e racioneve ushqimore dhe marketingun, punët e tjera si pastrimet e stallës, mjeljen e mekanizuar, ushqyerjen etj i kryejnë pjesëtarët e tjerë të familjes si babai, nëna, vëllai im kur kohë të lirë, si dhe bashkëshortja ime që është Mjeke Veterinere dhe bën drejtimin teknik të fermës, për më saktë të gjithë jemi të angazhuar me fermën.
Një mesazh për brezin e ri doktor.
-Mesazhi im për ta është: të rriten të kulturuar e të shkolluar, të kthejnë sytë nga punët e përditëshme në bujqësi dhe blegtori duke gjetur vetveten te kultura bujqësore që kërkohen nga konsumatori dhe që japin fitime dhe veçanërisht nga blegtoria si degë e rëndësishme e ekonomisë. Me qenë se vetë jam Mjek Veteriner, profesion që nuk do ta ndërroja me asnjë tjetër, ata që duan të kryejnë studime të larta ta marrin në konsideratë si profesion fisnik atë të Mjekut Veteriner.
Nëse “Mjeku Human shëron njerinë, Mjeku Veteriner shpëton njerëzinë”.
Intervista u përgatit nga MV Imer Hysa
Dhjetor 2023