Dr. Moikom Zeqo

Antropogjeneza lidhet me punën krijuese të Homo sapiensit. Të gjithë historianët e qytetërimeve klasifikojnë kalimin nga sistemi i gjuetisë në natyrë, që nënkupton një nomadizëm të përhershëm në sistemin e kultivimit të tokës, që lidhet me ngulitjen dhe vendbanimet e para njerëzore. Ky kapërcim kopernikan nga gjuetia e njerëzve parahistorikë në njohjen e kultivimit të bimëve të natyrës, si dhe krijimin e konceptit të vendbanimeve përfaqëson Revolucionin Bujqësor në zanafillën e tij.
Sistemi i bujqësisë ndryshoi gjithçka dhe mund të thuhet se fillesat e qytetërimeve lidhen me këtë mënyrë të re jetese dhe pune, madje në një kuptim të shumëfishtë pa përjashtuar dhe kohërat moderne. Janë pikërisht të dhënat arkeologjike ato që na hapin përpara syve botën e paditur dhe të heshtur të parahistorisë. Dikur një arkeolog francez, Leon Rei, shkroi në fundin e shek. XIX së në Shqipëri parahistoria është një njollë e bardhë. Është meritë e arkeologjisë shqiptare që gjatë bonifikimit të fushës së Maliqit, shënoi një prelud të madh.: Zbuloi një fshat parahistorik kolosal, ku jeta kishte vazhduar pa ndërprerje për 1500 vjet. Ky vendbanim parahistorik i Maliqit kish filluar të banohej rreth viteve 2700 para erës sonë dhe vazhdoi si i tillë deri në vitin 1200 para erës sonë.
Të dhënat e para për bujqësinë tek ilirët i japin autorët antikë. Këto nisin që nga Homeri, Hesiodi, Herodoti, etj. Homeri flet për Mbretin e tesprotëve, Theidonin, i cili i dha Odiseut një anie tesprotë me grurë.
Të dhëna për bujqësinë tek ilirët jep edhe Herodoti. Herodoti bën fjalë për fushat e Apolonisë, ku ishte dhe dele që ishin kushtuar kultit të Diellit. Herodoti flet dhe për një person historik, qytetarin e Apolonisë me emrin Eveni, të cilin bashkëqytetarët e verbuan se gjatë ruajtjes së deleve kushtuar Diellit e kishte zënë gjumi dhe ujqërit shqyen 60 dele. Mbas verbimit të Evenit delet nuk pillnin dhe toka nuk jepte më frutë si rezultat i mallkimit. Apoloniatet shkuan dhe tek Orakulli i Dodonës dhe e pyetën se cili ishte shkaku i kësaj fatkeqësie. Përgjigja qe se mallkimi mund të hiqej, nëse e shpërblenin Evenin, që kishin verbuar pa të drejtë. Atëherë apoloniatët e pyetën se çfarë shpërblimi kërkonte Eveni për të keqen që ata i kishin bërë. Sipas Herodotit, Eveni kërkoi që ti jepnin disa nga arat që ishin më të mirat në Apoloni, si dhe një shtëpi pranë tyre, që ishte më e mira në qytet. Apoloniatët ia dhanë menjëherë këto gjëra që kërkoi Eveni. Mallkimi u hoq dhe Evenit ju dha vetia e Orakullit
Të shumta janë të dhënat për bujqësinë dhe blegtorinë tek ilirët nga Aristoteli.
Aristoteli tek libri i tij “De animalum historia (Mbi Historinë e kafshëve) flet se në Iliri ka derra, se lopët e Epirit janë të mëdha, se qetë dhe delet në Epir quhen pirike, sipas emrit të Mbretit Pirro i Madh, se kopetë arrijnë në qindra krerë, se gomarët janë të vegjël, por që shërbejnë shumë në bujqësi. Po Aristoteli thotë se ilirët e quajtur taulantë bëjnë verë nga mjalti, se në Epir ka drerë të mëdhenj, briri i të cilëve përdoret për të bërë shumë sende të dobishme, etj.
Një tjetër autor, Skymni, i shek. III p.e.s në veprën në vargje : “Përshkrimi i botës”, shkruan se rreth detit Adriatik jetojnë afro një milionë e gjysmë ilirë “që kanë tokë shumë të mirë dhe pjellore, ku dhe bagëtia pjellin binjakë”.
Skymni tregon dhe për lëvrimin e tokës nga ilirët i . 200 vjet më pas Straboni shkruan për Ilirinë se “ky vend është i ngrohtë dhe frytdhënës, por dhe plotë me ullishte e vreshta të mira”.
Përveç grurit, bujqit ilirë kultivojnë dhe elbin. Prej elbit ilirët krijuan një pije të veçantë të quajtur sabaja, një lloje birre, e cila u bë e famshme në Iliri, kryesisht në shtresat më të varfra.
…
Në hartën arkeologjike të rrethit të Skraparit ka afro 60 vendbanime bujqësore.
Disa nga këto vendbanime patën dhe fortifikime, por përgjithësisht ishin fshatare. Këtu gjetjet arkeologjike të veglave bujqësore tregojnë se 90 % e kësaj krahine përbehet nga bujq të lirë dhe jo skllevër.
Bujqësinë ilirët nuk e mësuan nga të tjerët, siç thonë disa teza të studiuesve të huaj, të cilët mëtojnë se gjoja ilirët qenë një popull endacak, që rronte nga ekonomia e kullotave. Të gjitha të dhënat që shkruam më lartë tregojnë se gjeneza e bujqësisë tek ilirët është autoktone dhe jo e importuar. Madje të dhënat parahistorike deri në antikitet tregojnë një vijimësi dhe jo ndërprerje, pavarësisht nga dyndjet e popujve të tjerë kalimtarë. Kjo vërteton jo vetëm autoktoninë etnike të ilirëve, por edhe autoktoninë e kulturës materiale të punës dhe të jetës.
Është e marrëzishme të mendosh se ndonjë përfaqësues serb si Jovan Svijiç, i cili thotë që ilirët e mësuan bujqësinë nga sllavët, kur sllavët erdhën në Ballkan dhe në trojet e Shqipërisë, të paktën nga shekulli VI i erës sonë.
Në vitin168 p.e.s. ilirët pushtohen nga romakët. Është për tu habitur, por kultura romake e punimit të tokës në këtë periudhë ishte e nivelit më të ulët se ajo ilire. Sundimi romak krijoj strukturime të reja. Pompon Atiku, miku i Ciceronit në vitet 50 p.e.s zotëronte prona shumë të mëdha bujqësore në periferinë e qytetit Butrint.
Fisi i Prasaibëve kaonë, ishte shndërruar në një koloni romake me karakter ushtarak dhe bujqësor. Po kështu u shndërrua dhe fisi i pirustëve në rrethinat e Lezhës.
Romakët sollën disa kolonë italikë në rrethinat bujqësore të Durrësit, të Tiranës dhe Skampinit. Pronat e mëdha bujqësore u quajtën latifonde. Ato shfrytëzoheshin nga romakët në mënyrën më të egër dhe të pamëshirshme. Kjo çoi në rrënimin e buqëve ilirë, të cilët u rebeluan dhe sipas burimeve të shkruara romake cilësoheshin latronë, d.m.th. kusarë. Rebelimet e latronëve u bënë shumë shqetësuese për Romën.
Dihet nga të gjithë kryengritja e famshme e Batos ilir në kohën e Oktavian Augustit, që rrezikoi tërë Perandorinë romake. Sipas edicionit të ri të Historisë së Popullit Shqiptar, bujqësia dhe blegtoria e ilirëve, jo vetëm ka ndikuar në vendet fqinje dhe është ndikuar nga ato nëpërmjet tregtisë dhe rrugëve të tjera.
Autor : Dr. Moikom Zeqo