Revista Mjekësia Veterinare Shqiptare

Hyrje » Për fermerët, pronarët dhe dashamirësit e kafshëve » Kafshët e fermave- Blegtoria » Analiza e kostos së prodhimit të qumështit- Kosovë

Analiza e kostos së prodhimit të qumështit- Kosovë

Përgatiti: Driton Sylejmani , Agroekonomist

Kjo analizë përfshin një numër të vogël fermash në vend që arrijnë rendiment të prodhimit, diku 20 litra në ditë për lopë gjatë laktacionit. Realisht, shumica e fermave tek ne nuk e kanë këtë rendiment (fatkeqësisht), e për pasojë ndryshojnë edhe kostoja e prodhimit dhe shpenzimet.

Te hyrat prej shitjes së qumështit, për një lopë me rendiment 20 litra në ditë, dalin rreth 6,100 litra në vit. Me çmimin mesatar të tregut prej 45 centë për litër, të hyrat totale prej qumështit janë €2,745. Përveç kësaj, shitja e viçit të posalindur deri në dy javë moshë sjell edhe €300 të tjera. Që me e pas pasqyrën e saktë të të hyrave neto, duhet zbritë qumështi që e thith viçi, që në këtë rast është diku 70 litra, me një vlerë prej €31,50. Po ashtu, amortizimi i lopës hyn në llogari. Lopa ka kushtuar €2,500 dhe amortizohet për 5 laktacione. Në fund, lopa që del jashtë prodhimit shitet për rreth €1,000 (shkon në therrje), çka nënkupton një kosto të amortizimit prej €300 në vit.

Sa i përket shpenzimeve, ato variabile përfshijnë disa pika. Shpenzimet veterinare si medikamentet dhe trajtimi i thundrave dalin €50 për lopë. Nevojiten 2-3 inseminim artificiale për mbarsim të suksesshëm, që llogariten me një kosto prej €60. Mortaliteti është llogaritur mesatarisht 5%, e duke pasë parasysh që lopa mund të ngordhë në çdo fazë të amortizimit, kostoja mesatare është €1250 për lopë. Përdorimi i kashtës për shtrat del €25 për lopë në vit. Fuqia punëtore, e llogaritur për një punëtor që kujdeset për 20 krerë lopë, kushton €250 për lopë/vit. Ndërsa shpenzimet tjera si energjia elektrike dhe amortizimi i objekteve të fermës janë rreth €50 për lopë/vit.

Për ushqimin, llogaritjet janë kryer për të gjithë vitin kalendarik, duke përfshi racionet për fazën e laktacionit dhe atë të tharjes. Përdoren silazh misri, sanë bari e leguminoze, dhe koncentrat. Totali për ushqim për një lopë është €1,616 në vit.

Kur kalkulohet bruto marzha, pas zbritjes së shpenzimeve të përgjithshme direkte prej €2,248, del €465 për lopë në vit, që i bie diku 17.14% fitim. Nëse flasim për një fermë me 20 krerë lopë, bruto marzha shkon në €9,300. Nëse fermeri vet i kryen punët, atëherë paga mbetet brenda familjes dhe e rritë përfitimin neto. (Nuk janw kalkuluar të hyrat nga pagesat direkte-subvencionet)

Grafiku i analizës së ndjeshmërisë tregon që pika e rentabilitetit arrihet me një rendiment prej 15 litrash në ditë dhe çmim €0.45 për litër. Me rritjen e çmimit të qumështit apo rendimentit, fitimi rritet dukshëm. Për fermën me 20 krerë dhe rendiment 20 litra në ditë, bruto marzha e përgjithshëm është €9,300. Në rastet kur çmimi dhe rendimenti janë të ulëta, fitimi bie, çka tregon se performanca e mirë e fermës varet direkt nga këta dy faktorë kryesorë.

Kjo analizë tregon që fermat që arrijnë këtë rendiment të lartë (për vendin tonë) kanë potencial të qëndrueshëm financiar, sidomos nëse bëhet menaxhim efikas i shpenzimeve dhe investim/prodhim i ushqimit cilësor e kujdes veterinar.

Për fermerët që punojnë vetë dhe i mbajnë kostot e ulëta, ky model i fermës është një mundësi për një fitim solid dhe qëndrueshmëri afatgjatë.

Përgatiti: Driton Sylejmani , Agroekonomist